Lidhje

Specialistë nga Azia e Jugut, jetikë për biznesin në Çikago


Sektori i inxhinierisë elektronike mbush shumë nevoja për personel të kualifikuar me specialistë nga India dhe Pakistani

Një studim i ri nga Qendra Kërkimore Pew tregon se për herë të parë aziatikët i kapërcyen ritmet e hispanikëve si popullata imigrante me rritjen më të shpejtë në Shtetet e Bashkuara. Në Çikago, banorët me prejardhje nga Azia e Jugut përfaqësojnë shumicën e imigrantëve të sapo-vendosur në këtë zonë dhe përmbushin nevojat kritike për punonjës të kualifikuar për sektorin teknologjik:

Pavarësisht nga ritmet e ngadalta të rimëkëmbjes ekonomike, Pete Tapaskar nuk e ka të lehtë të gjejë kandidatë të përshtatshëm për të mbushur vendet bosh në kompaninë e tij ProSoft pranë Çikagos:

“Nuk kemi teknikë të mjaftueshëm në zonë. Varemi tek burimet njerëzore nga Azia, sidomos India dhe Pakistani, apo vende të tjera ku i gjejmë këta individë”.

Menaxheri thotë se rreth 80 për qind e forcës punëtore në kompani vjen nga vende të tjera dhe kryesisht nga India.

Kërkesa në rritje për punonjës të kualifikuar në informatikë po i detyron kompani si ProSofti të rekrutojnë më shumë punonjës nga jashtë vendit, sidomos nga India ku ka plot kandidatë të diplomuar dhe me eksperiencë në informatikë.

Kjo prirje ka sjellë ndryshime demografike në Shtetet e Bashkuara:

“Kur thua aziatik nuk nënkupton vetëm kinezët”.

Çikagoja ka komunitetin e tretë më të madh indiano-amerikan në vend. Dhe ky komunitet vetëm po shtohet.

Shoji Matthew erdhi në Çikago nga India më shumë se 10 vjet më parë:

“Nëntëdhjetë për qind e vizave të punës përdoren nga indianët”.

“Një pjesë e mirë e imigracionit ushqehet nga viza për punësim, më tepër se për arsye të tjera”.

Tuyet Le është drejtore ekzekutive e Institutit Aziatiko-Amerikan. Ajo mendon se studimi i kompanisë Pew do të ndryshojë stereotipet që kanë ekzistuar për komunitetin aziatik në Shtetet e Bashkuara.

“Në Ilinoi, indiano-amerikanët janë aktualisht komuniteti më i madh aziatik dhe në dy censuset e fundit ua kanë kaluar kinezëve dhe filipinasve. Shumë njerëz çuditen nga ky fakt”.

Por Shoji Matthew nuk çuditet. Ai erdhi në Çikago pak para censusit të vitit 2000, i punësuar për të parandaluar probleme komiuterike nga fillimi i mijëvjeçarit të ri.

“Erdha me vizë pune H-1. Kjo vizë përdoret zakonisht nga specialistë të informatikës. Në atë kohë kishte shqetësime për problemet kompiuterike që mund të shfaqeshin me ndërrimin e mijëvjeçarit, pra kishte nevoja dhe mungesa të mëdha në personelin e kualifikuar”.

Matthew thotë se nevoja për këto specialistë të kualifikuar vazhdoi, prandaj shumë prej tyre vendosën të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara. Edhe sot ka nevojë për informaticienë nga Azia e Jugut dhe nuk ka viza të mjaftueshme për t’i sjellë në Shtetet e Bashkuara, thotë menaxheri i kompanisë ProSoft:

“Pas sulmeve të 11 shtatorit, rregullat e imigracionit u shtrënguan. Kuota e lejueshme u reduktua”.

Menaxheri thotë se procesi i aplikimit dhe miratimit të vizave kërkon më shumë kohë, duke vonuar mbushjen e vendeve të punës.

XS
SM
MD
LG