Lidhje

Pezullimi i ndihmës amerikane për Pakistanin mund të tendosë edhe më tej marrëdhëniet


Pezullimi i ndihmës amerikane për Pakistanin mund të tendosë edhe më tej marrëdhëniet
Pezullimi i ndihmës amerikane për Pakistanin mund të tendosë edhe më tej marrëdhëniet

Mosmarrëveshjet mes qeverive miqësore zakonisht ndodhin privatisht dhe minimizohen në sytë e publikut. Kështu që vendimi i administratës së presidentit Obama për të pezulluar gati 800 milionë dollarë ndihma ushtarake është një shfaqje e pazakontë e pakënaqësisë diplomatike të Uashingtonit me Islamabadin.

Ish zyrtari i Departamentit të Shtetit Daniel Markey, tani ekspert në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë thotë se kjo lëvizje pasqyron një trajektore të tatëpjetë në marrëdhëniet SHBA-Pakistan.

"Është padyshim një shenjë që tregon se marrëdhëniet po përkeqësohen dhe mendoj se është shtim i trysnisë nga Uashingtoni. Por nuk mendoj se është një trysni në nivel të mjaftueshëm për të sjell një pikë kthese. Kjo tregon në fakt më shumë se çdo gjë tjetër një nivel nervozizmi dhe acarimi që mund të çojë në përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve."

Ndihma amerikane ndaj Pakistanit vitin e kaluar arriti në gati 4 presje 5 miliardë dollarë, gjysma e së cilës shkoi për ushtrinë. Daniel Markey thotë se administrata ndoshta veproi në pritje të ndonjë lëvizjeje nga Kongresi, ku janë shtuar zërat për shkurtimin e ndihmës ndaj Pakistanit.

"Shtetet e Bashkuara kanë qënë të nervozuara dhe ndjejnë se Pakistani nuk ka bërë një kthesë pozitive – në fakt marrëdhëniet nga ana e Pakistanit kanë qënë më negative. Kështu që mendoj se në përgjigje të kësaj – dhe ndoshta në pritje të një thirrjeje nga kongresi për të shkurtuar ndihmën nëse administrata nuk do ta bënte një gjë të tillë – presidenti Obama vendosi të pezullojë ndihmat, disa prej të cilave pakistanezët besojnë se duhet të marrin pasi kanë kryer tashmë operacione."

Por profesor Larry Goodson në Kolegjin Lufta Ushtarake Amerikane thotë se është thikë me dy presa të vonosh ndihmat ndaj Islamabadit meqë shumica e furnizimeve për trupat amerikane dhe ato të Natos në Afganistan shkojnë përmes Pakistanit.

“Është një rrezik i madh. Mendoj se është shumë e rrezikshme t’i thuash personit që t’i ka vënë duart në fyt, që mos të të mbysë se do të zemërohesh me të. E vërteta është se ata kontrollojnë linjën e furnizimit. Dhe në të kaluarën kemi parë tregues të qartë se kur kanë qënë të pakënaqur me ne, ka patur sulme në linjat e furnizimit”.

Shtetet e Bashkuara janë ankuar se Pakistani nuk ka bërë sa duhet për të ç’rrënjosur vendstrehimet e militantëve përgjatë kufirit afgan dhe ka kërkuar më shumë bashkëpunim nga ushtria pakistaneze dhe shërbimet e saj të zbulimit. Por zyrtarët amerikanë privatisht kanë shprehur shqetësim rreth shkëmbimit së informacioneve të zbulimit me Pakistanin duke patur frikë se ato do të kalonin tek militantët. Qeveria e Pakistanit dhe veçanërisht ushtria e tij e fuqishme u turpërua dhe u zemërua që nuk u informua paraprakisht për sulmin në kompleksin Abbottabad ku u gjet dhe u vra Osama bin Ladeni.

Pakistani ishte një aleat i Shteteve të Bashkuara në organizimin dhe furnizimin e rezistencës anti-sovjetike në Afganistan në vitet 1980, por u sanksionua më vonë lidhur me programin e saj bërthamor pas tërheqjes së forcave sovjetike. Larry Goodman thotë se kjo la një ndjenjë të keqe ndaj Shteteve të Bashkuara në Pakistan.

Pakistani ka pikëpamjen se Shtetet e Bashkuara janë një partner jo i qëndrueshëm dhe se ne i shtymë herë pas here që bëjnë gjëra që ata nuk i dëshirojnë dhe pastaj i lemë në baltë. Kjo është pikëpamja e tyre.

Zoti Goodson thotë se ndjenja e krijuar tani në Pakistan nga pezullimi i ndihmës ushtarake amerikane mund të ketë pasoja më vonë për Shtetet e Bashkuara ndërsa fillojnë përpjekjet për një zgjidhje politike në Afganistanin fqinj ku Pakistani pritet të synojë që të luajë një farë roli.

XS
SM
MD
LG