Lidhje

Pezullohet gjyqi i Ratko Mlladiçit

  • Zëri Amerikës

Gjykatësi në Hagë pezulloi sot, në ditën e dytë, procesin gjyqësor për krime lufte të ish komandantit të serbëve të Bosnjes Ratko Mlladiç.

Gjykatësi Alphons Orie, përmendi si shkak gabimet e prokurorisë që nuk i kishte bërë të ditur palës mbrojtëse një sërë të dhënash. Gjykatësi tha se data e re e gjyqit do të caktohet pasi të analizohet ndikimi i plotë i gabimit të prokurorisë.

Ratko Mlladiç po gjykohet nën 11 akuza, përfshirë atë për gjenocid, për rolin e tij gjatë luftës në Bosnje në fillim të viteve ’90. Ai është akuzuar për dhënien e urdhërit për masakrën e 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë në vitin 1995. Ratko Mlladiç thotë se nuk ka kryer asnjë krim.

Në se shpallet fajtor ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm. Ratko Mlladiç konsiderohet si hero nga shumë serbë, veçanërisht në Bosnje. Ai u arrestua vitin e kaluar, pasi i ishte fshehur drejtësisë për 16 vjet.

Vëzhguesit thonë se ai nuk do të kishte qënë në gjendje të fshihej kaq gjatë pa patur një rrjet mbështetës.

XS
SM
MD
LG