Lidhje

Pas deklaratës së Koresë së Veriut


Koreja e Jugut thotë se të premten do të rifillojë transmetimet propagandistike me altoparlant në Korenë e Veriut në përgjigje të provës bërthamore të Phenianit këtë javë. Veprimi i Seulit vjen ndërkohë që Presidenti Barack Obama u zotua se do të punojë me udhëheqësit e Koresë së Jugut dhe Japonisë në prezantimin e një përgjigje të përbashkët ndaj provës së Koresë së Veriut me bombë hidrogjeni që Pheniani pretendon se ishte e suksesshme.

Kryeministri japonez Shinzo Abe mbajti sot një fjalim ne parlament për Korenë e Veriut:

"Këtë mëngjes, kam zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin Obama. Ne ramë dakord se akti provokues nga Koreja e Veriut është i papranueshëm, dhe përmes një mase në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dy vendet do të udhëheqin përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për trajtimin e kësaj çështjeje, dhe unë përsëri mora përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen e Japonisë".

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar avionë nga baza e tyre në Okinawa për të mbledhur informacione në lidhje me pretendimin e Koresë së Veriut për testimin e një bombe me hidrogjen.

Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore kanë shprehur skepticizëm në lidhje me pretendimin Phenianit.

Por dyshimet janë duke u zëvendësuar nga frika në të paktën një qytet kinez në afërsi të kufirit të Koresë së Veriut.

“Në atë moment unë ndjeva një dridhje të tokës, ashtu si një tërmet. Pra, unë mendova se ishte një tërmet. Më vonë e kuptova nga miqtë dhe media se Koreja e Veriut kishte kryer një provë bërthamore", - thotë një banore.

Demonstruesit në Seul sot protestuan kundër Koresë së Veriut, duke djegur statuja prej letre që simbolizonin udhëheqësin koreanoverior, Kim Jong Un.

Më pak se një javë më parë zoti Kim kërkoi fillimin e bisedimeve të paqes këtë vit me Korenë e Jugut, por veprimi i tij i fundit mund të ketë dëmtuar shpresën që kjo do të mund të ndodhë, megjithëse edhe para këtij incidenti Seuli asnjëherë nuk ka patur besim tek udhëheqësi koreanoverior.

XS
SM
MD
LG