Lidhje

SHBA i kërkojnë Shqipërisë të thellojë reformat


"Ne presim të shohim vazhdimin e përparimit të reformave dhe respektimin e pavarësisë së institucioneve demokratike" - tha zoti Reeker.

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Philip Reeker, po kryen një vizitë disaditore në Shqipëri për të diskutuar me autoritetet shtetërore dhe politike shqiptare mbi ecurinë e reformave dhe forcimin e institucioneve demokratike. Në takimet me presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha dhe prokuroren e përgjithshme, Ina Rama, zoti Reeker deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në sfidat e saj të konsolidimit të institucioneve demokratike dhe integrimin evropian në një partneritet gjithnjë e më të ngushtë.




Sipas njoftimeve nga presidenca, zoti Reeker dhe presidenti Nishani diskutuan mbi pavarësinë e institucioneve demokratike si baza për funksionimin e shtetit ligjor, dhe reformën më të fundit ligjore si sfidë kryesore me të cilën po përballet aktualisht Shqipëria.

Ndërsa pas takimit me kryeministrin Berisha zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Philip Reeker, tha se javët e ardhshme janë kritike që politika shqiptare të tregojë seriozitet dhe të çojë përpara reformat në dobi të popullit shqiptar. Ai tha se SHBA mbeten të përkushtuara ndaj demokratizimit të vazhdueshëm të rajonit dhe integrimit euro-atlantik të tij.

“Ne presim të shohim vazhdimin e përparimit të reformave dhe respektimin e pavarësisë së institucioneve demokratike, dhe veçanërisht javët e ardhshme janë kritike. Janë kritike për të dëshmuar lëvizjen para të reformave dhe seriozitetin në arritjen e qëllimeve që shkojnë përtej politikës dhe që pasqyrojnë interesin më të mirë dhe dëshirat e popullit shqiptar” - tha zoti Reeker.

Kryeministri Sali Berisha tha në konferencën e përbashkët se diskutoi me diplomatin e lartë amerikan për forcimin e pavarësisë së institucioneve dhe përpjekjet që po bën qeveria shqiptare në dobi të kësaj. Zoti Berisha tha se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje për të fituar statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe për zgjedhje të lira e të ndershme, duke ftuar një numër sa më të madh vëzhguesish nga SHBA në zgjedhjet e ardhshme.

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan, Reeker u takua dje edhe me prokuroren e përgjithshme, Ina Rama, me të cilën, sipas njoftimit për shtypin, diskutoi mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pavarësinë, reformat dhe sfidat e institucioneve të drejtësisë, si dhe marrëdhëniet me pushtetet e tjera.

Zoti Reeker pritet të takojë përfaqësues të partive politike dhe të vizitojë projekte të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, në Berat, Vlorë dhe Elbasan. Zoti Reeker largohet nga Shqipëria të dielën për në Kosovë.

Vizita e tij po kryhet ndërkohë që parlamenti shqiptar duhet të mbyllë brenda pak ditësh gjatë shtatorit reformën për rregulloret e veta, të miratojë ligjin për Gjykatën e Lartë, dhe seri çështjesh që lidhen me imunitetet dhe reformat në drejtësi, para se Komisioni Europian të nxjerrë raportin e progresit për Shqipërinë mbi ecurinë e saj në plotësimin e 12 rekomandimeve për të marrë statusin e vendit kandidat. Ndërkombëtarët po u kërkojnë të kryejnë reformat integruese me të njëjtin mirëkuptim që u krye reforma zgjedhore.

Socialistët pohuan se janë gati të miratojnë kufizimin e imuniteteve, sapo të diskutohet paketa e tyre kushtetuese për reforma në drejtësi. Këshilli i legjislacionit në parlament nisi shqyrtimin e nismës së Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese. Përfaqësuesit demokratë kërkuan edhe dy javë kohë që të njihen me propozimet e PS për ndryshimet kushtetuese.
XS
SM
MD
LG