Lidhje

Ndihma dhe lutje për viktimat e tajfunit shkatërrimtar në Filipine


Njerëzit kudo në botë po ofrojnë ndihma dhe lutje për viktimat e tajfunit shkatërrimtar në Filipine. Tajfuni Haiyan goditi ishujt qëndrorë në Filipine të premten, duke vrarë gati 10,000 njerëz dhe shkatërruar shtëpitë dhe lagjet e tyre.

Përpjekjet e ndihmave po ngadalësohen nga dëmet masive që ka pësuar infrastruktura e ishujve. Stuhia tashmë ka arritur në Vietnam, ku tani nuk konsiderohet më tajfun, por stuhi tropikale.

Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera po u dërgojnë ndihma dhe personel shpëtimi ishujve Filipine. Ndihmësit e parë amerikanë dhe personeli ushtarak arritën sot në qytetin e Taklobanit.

Sekretari i shtetit John Kerry tha se veteranë ushtarakë amerikanë do të shkojnë në Filipine për të ndihmuar. Ai shtoi se qeveria amerikane po organizon furnizime emergjente për ushqim, higjienë, dhe materiale për të ofruar strehim të përkohshëm për ata që humbën shtëpitë e tyre.

Organizata humanitare ndërkombëtare “Doktorët pa Kufi” tha se do të dërgojë dhjetëra personelë mjekësorë dhe ekspertë logjistike në ishullin Cebu, së bashku me 300 tonë sende ndihmash dhe mjekësore.

Zyrtarët kanë filluar vlerësimin e shkatërrimeve dhe numrit të viktimave Dje, Presidenti Benigno Acquino vizitoi disa nga zonat e shkatërruara:

"Zyrtarët kanë ardhur këtu për të siguruar se ndihma do të vijë sa më shpejt dhe gjërat do të funksionojnë siç duhet. Më vjen keq që nuk mund të qëndroj me ju më gjatë, sepse më duhet të shoh shifrat dhe të vlerësoj shkatërrimet në rajon."

Disa banorë thanë se kanë nevojë më shumë për ujë të pastër, ushqime dhe gjërat bazë sesa për vizitat e zyrtarëve:

"Kërkojmë që ndihmat të na jepen sa më shpejt. Nuk i duam të na vijnë përmes politikanëve. Ne duam ushqim, veshje, ujë dhe të na jepen menjëherë."

Ndihma është duke shkuar, edhe pse do të duhet ndoshta pak kohë për të arritur tek viktimat. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle njoftoi një ndihmë prej më shumë se 650,000 dollarë:

"Gjermania kërkon të ndihmojë dhe do të ndihmojë. Ndihma e menjëhershme do të jetë 500,000 euro. Një ekip i mbështetjes teknike po shkon në rajon. Dhe me ndihmën e qëndrave të krizës në ambasada, Gjermania do të vendosë se çfarë tjetër mund të bëjë.''

Papa Françesku ftoi pelegrinët në Vatikan të luten për viktimat e tajfunit:

"Dua të afirmoj afërsinë time me popullatën në rajonin e Filipineve të goditur nga tajfuni shkatërrimtar."

Presidenti Barack Obama publikoi një deklaratë dje ku përcillte lutjet e tij për miliona viktimat në Filipine. Ai tha se Shtetet e Bashkuara po dërgojnë ndihma humanitare dhe do të ndihmojë së shpejti me përpjekjet e mëkëmbjes.
XS
SM
MD
LG