Lidhje

Ndihma amerikane për Filipinet


Zyrtarët në Filipine thonë se sfida për shtimin e ndihmave për tajfunin Hejan tregon nevojën për nënshkrimin të shpejtë të një marrëveshjeje afat-gjatë për shtimin e pranisë së trupave amerikane në vend. Nga Manila njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Simone Orendain:

Tajfuni Hejan goditi ndërsa SHBA dhe Filipinet po negocionin mbi një plan për rotacionin më të rregullt të trupave amerikane atje.

Negociatorët po zhvillonin takime për muaj të tërë, por përfaqësuesit e filipineve thonin se i duhej më tepër kohë për të studjuar disa çështje.

Të hënën, Sekretari i Jashtëm i Filipineve Albert del Rosario bëri një hap për finalizimin e marrëveshjes gjatë takimit me një delegacion të Kongresit amerikan në Manila.

“Unë mendoj se fatkeqësia që na goditi flet për nevojën për këtë marrëveshje për të cilën kemi punuar me SHBA-në … sepse thekson një nga synimet kryesore të marrëveshjes, që është ndihma humanitare për fatkeqësinë."

Tajfuni Hejan shkatërroi infrastrukturën e pjesës qendrore të Filipineve; erërat e fuqishme shkaktuan ndërprerjen e energjisë elektrike dhe rrëzuan në tokë kullat e komunikimit. Stuhia rrafshoi shumë shtëpi, la pas shumë pemë të rrëzuara dhe rrënojat bllokuan rrugët për ditë me radhë.

Shkatërrimet masive penguan përpjekjet e ndihmave dhe dëmtuan aftësinë e Filipineve për t'iu përgjigjur fatkeqësisë.

Shtetet e Bashkuara dërguan 50 anije dhe avionë në rajon për operacionin humanitar HADR. Po ashtu, SHBA i ndihmuan Filipinet për tpë hartuar planin e masave të emergjencës.

Ligjvenësi i Arizonës Trent Franks u tha gazetarëve në
Manila se SHBA janë të përkushtuara për fuqizimin e mëtejshëm të partneritetit dhe ndihmës reciproke.

“Mendoj se ka rëndësi jetike të qëndrojmë bashkë dhe të shfrytëzojmë rastin, duke përfshirë edhe këtë të tanishmin, për bashkëpunimin e forcave tona të armatosura."


Carl Baker është drejtor programi në Forumin e Paqësorit në Qendrën e Studimeve Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington. Ai thotë se operacioni i ndihmave në Hejan do të ndikojë tek negociatat mes të dy vendeve, por nuk do të jetë faktor për marrëveshjen.

“Unë mendoj se do të ishte gabim që SHBA të shkojë në negociata me mendimin se tani ka më tepër shanse për t'i bindur Filipinet t'i pranojnë disa klauzola të cilat më parë nuk ishin të përgatitura t'i pranonin."

Filipinet, që kanë një nga buxhetet më të vogla ushtarake në rajon, duan shtimin e pranisë së trupave ushtarake amerikane, në kuadër të strategjisë për të zgjeruar ushtrinë e tyre. Filipinet janë veçanërisht të shqetësuara për një territor të debatueshëm me Kinën, disa ishuj të vegjël të rajonin e Detit të Kinës Jugore. Njëkohësisht, SHBA po e drejtojnë fokusin e tyre të sigurisë në Azi, ku ndikimi i Kinës vazhdon të rritet.

Shefi i forcave të armatosura të Filipineve, gjenerali Emmanuel Bautista tha se përgjigja e SHBA ndaj fatkeqësisë ka ndihmuar në fuqizimin e ushtrisë filipinase.

“Shtetet e Bashkuara kanë gjithmonë me ne gjatë krizave që kemi ndeshur si në të kaluarën, edhe tani. Amerikanët kanë treguar vullnetin e mirë dhe aftësinë për të na ndihmuar për çdo problem me të cilin ndeshemi."

Studjuesi në Institutin e Studimeve të Azisë Juglindore Ian Storey, thotë se përgjigja amerikane ndaj tajfunit i ka ndihmuar të dyja vendet t'u afrohen objektivave të tyre.

“Shtetet e Bashkuara nuk duan të thonë: ne duam të shtojmë praninë tonë ushtarake në Filipine për shkak të Kinës. Ata njëkohësisht do të shfrytëzojnë arsye të tjera, si operacionin HADR, psh, si një nga faktorët më të rëndësishëm që do të përdorin për të theksuar qëndrimin e tyre."

Javën e kaluar Kina ofroi spitalin ushtarak lundrues prej 14 mijë tonësh, të quajtur "Arka e Paqes", në kuadrin e përpjekjeve të ndihmave për tajfunin Hejan.
Studjuesi Storey thotë se ky është një veprim i rëndësishëm, sepse ai do të ishte operacioni i parë humanitar i kësaj anijeje.
XS
SM
MD
LG