Lidhje

Pikat kufitare të Shqipërisë me Greqinë bllokohen nga greva greke


Pikat kufitare të Shqipërisë me Greqinë bllokohen nga greva greke
Pikat kufitare të Shqipërisë me Greqinë bllokohen nga greva greke

Pikat kufitare të Shqipërisë me Greqinë në Jug dhe Juglindje të vendit u bllokuan sot nga një grevë e doganierëve grekë. Prej orës 9 të mëngjesit ndërprerja e punës nga nëpunësit grekë të kufirit ka sjellë bllokimin e qarkullimit tregtar dhe të lëvizjes së mjeteve. Sipas Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, në kufi kanë mundur të lëvizin vetëm këmbësorët. Pala greke ka njoftuar se greva do të jetë 24 - orëshe dhe kufiri pritet të lirohet vetëm në orët e paradites së nesërme.

Autoritetet shqiptare të kufirit thanë se nuk ishin lajmëruar më parë nga pala greke për grevën e nëpunësve grekë. Kjo ka vënë në vështirësi lëvizjen e disa qindra emigrantëve, sidomos me linjat e autobuzëve të udhëtarëve. Po kështu, probleme ka hasur edhe qarkullimi i mallrrave nga bizneset. Disa agjenci turistike gjithashtu anulluan udhëtimin e turistëve përmes trageteve drejt Portit Detar të Sarandës. Autoritetet shqiptare të kufirit u kërkuan shtetasve shqiptarë të shtyjnë udhëtimin në Greqi, për të mos qëndruar në radhë në kufi.

Disa greva të njëpasnjëshme në Greqi kanë krijuar muajt e fundit probleme, si për lëvizjen e emigrantëve edhe të mallrave në pikat kufitare mes Shqipërise dhe Greqisë. Efektet e bllokimit të punës janë ndjerë vecanërisht edhe nga sektori doganor shqiptar, i cili ka shënuar rënie të vjeljes së të ardhurave.

XS
SM
MD
LG