Lidhje

Piktori kinez kthehet në vendlindje, pasqyron modernizimet

  • Stephanie Ho

Piktori kinez kthehet në vendlindje, pasqyron modernizimet

Piktori kinez kthehet në vendlindje, pasqyron modernizimet

Zhvillimi i shpejtë ekonomik në Kinë ka transformuar të gjithë vendin. Qytetet e mëdha si Pekini dhe Shangai përbëjnë histori të njohura suksesi. Një nga artistët më të suksesshëm në Kinë zbuloi gëzimin dhe trishtimin që kanë shkaktuar ndryshimet në çdo nivel të shoqërisë kineze, pasi u kthye në qytetin e tij të lindjes në pjesën verilindore të vendit.

Në vitin 2008, ArtPrice.com, një faqe franceze interneti që mbikqyr tregun ndërkombëtar të artit, renditi kinezin Liu Shiao-dung si artistin e 10-të më të shitur bashkëkohor në botë.

Pikturat ne vaj të Liusë janë të veçanta sepse ata pasqyrojnë jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm në Kinë.

Një ekspozitë e re në Qendrën Ulens për Artin Bashkëkohor në Pekin ka në qendër kthimin e Liusë në qytetin e lindjes, Jinçeng (Gjinçëng) në provincën Liaoning. Ai u largua para 30 vjetësh, kur ishte 17 vjeç. Ai u kthye vitin e kaluar për të pikturuar vendet e njohura dhe njerëzit me të cilët ishte rritur. Rezultati është një pamje e ndryshimeve të jashtëzakonshme në një qytet mesatar kinez.

Pasi erdhi në pushtet partia komuniste në vitin 1949, qytete si Jinçeng përjetuan një lulëzim industrial. Pastaj, kur pasuria filloi të lëvizte në qytetet e mëdha, fabrikat e Jinçengut u mbyllën dhe njerëzve iu desh të gjenin mënyra të tjera për të nxjerrë jetesën.

“Tani, të gjithë punëtorëve të fabrikës u është dashur të gjejnë punë tjetër. Përpara, ata ishin bujq që vinin tek fabrikat për të kërkuar punë dhe për t’u siguruar pasuri për djemtë. Tani djemtë e tyre duhet të gjejnë përsëri mënyra për të ndryshuar, dhe kthehen në fshat.”

Xherom Sans, kurator i ekspozitës, thotë se punimet e Liusë tregojnë realitetin e modernizimit të Kinës, dhe njerëzit që kanë mbetur.

“Ai paraqet realitetin shoqëror, katastrofat shoqërore, realitete që nuk kanë vlera të tjera përveç se njerëzore, ku tregohen kryesisht probleme.”

Zoti Sans e krahason Liunë me një regjizor. Artisti ka përdorur fotografi të vjetra dhe shënime për të krijuar idetë për pikturat. Një film i regjizorit taivanez Huo Siaosen përshkruan mendimet e artistit gjatë punës së tij.

Në Jingçeng, Liu pikturon dhomën e shtëpisë së vogël ku ka lindur. Ai pikturon një mik që e kanë hequr nga puna në fabrikën e letrës. Liu pikturon edhe shokë të tjerë të vjetër në punë e sipër, një polic, një menaxher klubi, një ish të dënuar të kthyer në pronar restoranti.

“Ndërsa shoqëria ndryshon, çdo sektor lëviz dhe ndryshimet kanë ndikim tek njëra tjetra. Kjo më ka habitur shumë. Zbulova se aftësia e një njeriu për t’u përshtatuir është si bari në natyrë. Kur vjen dimri, gjithçka bie në gjumë, por zgjohen përsëri kur vjen pranvera.”

Bota e Liu-së është e mbushur me njerëz të zakonshëm, shumica e të cilëve luftojnë për të mbijetuar në Kinën e sotme.

XS
SM
MD
LG