Lidhje

Pikturë dhe verë, një biznes në rritje


Painting

Painting

Dy gra në zonën e New Orleans-it filluan një biznes të vogël shtatë vjet më parë me një objektiv: të ndihmonin fqinjët e tyre të përballonin stresin prej pasojave të një uragani. Sot, aktiviteti i tyre, i cili kombinon pikturën dhe pak verë, është kthyer në një nga markat me rritjen më të shpejtë në të gjithë SHBA-në. June Soh e Zërit të Amerikës i takoi sipërmarrëset në qendrën e tyre më të re, në periferi të Uashingtonit.

Është ceremonia e hapjes e studios më të re “Painting with a Twist”, Pikturë me një variacion. Bashkë-themelueset, Cathy Deano dhe Renee Maloney fluturuan në Ashburn, Virxhinia, enkas për këtë ngjarje.

"Ne menduam se do të kishim vetëm një studio në qytetin tonë Mandeville, në Luiziana. Por tani biznesi është rritur me 173 studio të licensuara nga ne, në 26 shtete."

Nënat shtëpiake u takuan për herë të parë në kopshtin e fëmijëve të tyre, shtatë vjet më parë.

"Po kërkonim një mënyrë për të risjellë pak jetë, ngjyra, në komunitetin tonë. Në zonën e New Orleans-it ne ishim ende duke u rimëkëmbur nga uragani Katrina. Na lindi ideja e një kursi të përshpejtuar pikture. Dhe ishte shumë argëtuese. Njerëzit e pëlqyen shumë. Kështu vendosëm të fillonim një biznes të vogël."

Studioja e tyre ofron pajisjet – bojën, tablotë, penelat – si dhe instruktorët e artit. Kombinimi me verë ose birrë është me dëshirë.

"Bukuria e kësaj gjëje është që nuk ka nevojë të jesh artist. Mund të vish edhe nëse nuk di asgjë për pikturën. Aty ka një artist që të mëson se si të bësh një pikturë, brenda dy deri tre orëve. Ky është variacioni."

Klasa e tyre e parë në vitin 2007 kishte vetëm shtatë njerëz. Por aktiviteti u shtua në mënyrë të qëndrueshme dhe dy vjet më vonë sipërmarrëset vendosën të jepnin licenca ekskluzive (franchising) të markës së tyre.

"Kursantët tanë shpesh na kërkonin që këto studio të ishin dhe në qytetet e tyre. Ata mendonin se duhet të përhapeshim. Tre studiot e para që licensuam ishin nga klientët tanë."

Sot ka rreth 200 kompani që ofrojnë shërbimin e të pikturuarit dhe pijeve, por revista Entrepreneur shpalli Painting with a Twist si markën e parë të industrisë për këtë vit.

"Mendoj se ajo që e veçon një biznes nga të qenit thjesht një biznes si gjithë të tjerët, duke e bërë një aktivitet të suksesshëm është pasioni pas tij. Nëse bën atë që do, nuk punon asnjë ditë të jetës tënde."

Ndërsa Painting with a Twist zgjerohet, sipërmarrëset janë krenare që po krijojnë vende pune.

"Ne jemi punëdhënëset më të mëdha të artistëve në Shtetet e Bashkuara, përveç sistemit shkollor. Tani, kemi pothuajse një mijë artistë që punojnë në studiot e markës sonë."

Zonja Maloney thotë se kontributi ndaj komunitetit mbetet një element thelbësor i modelit të tyre të të bërit biznes.

"Një herë në muaj, çdo studio e rrjetit tonë bashkëpunon me një organizatë jo-fitimprurëse në fushën e tyre. Deri tani kemi mbledhur mbi një milion dollarë, për organizata në të gjithë vendin. Kjo është ndoshta një nga gjërat për të cilën jemi më shumë krenare."

Zonjat Maloney dhe Deano presin që të shtojnë 50 qendra të reja në të gjithë SHBA-në, deri në fund të vitit. Dhe ato janë duke punuar që së shpejti të përhapen në vende të tjera.

XS
SM
MD
LG