Lidhje

I ati i pilotit të kapur jordanez, thirrje ISIS


Babai i një piloti ushtarak jordanez të kapur nga militantët e Shtetit Islamik në Siri iu lut grupit kryengritës ta kthejë pilotin pranë familjes. Ndërkohë, ushtria amerikane thotë se ka prova se avioni luftarak jordanez nuk është rrëzuar nga militantët e shtetit islamik, siç deklaroi ky grup të mërkurën.

Babai i jordanezit të kapur u bëri thirrje ekstremistëve fetarë për ta trajtuar djalin e tij Muath al-Kasaesbeh si një "mysafir" e jo si peng, duke u thënë atyre se "ne të gjithë jemi myslimanë."

"Kam dërguar një mesazh për vëllezërit tanë bujarë të shtetit islamik në Siri: U lutem atyre t'i rezervojnë djalit tim mikpritje bujare. I lutem zotit t'u mbushë atyre zemrat me dashuri, dhe që ai të kthehet pranë familjes," tha i ati i pilotit të kapur.

Jordania konfirmoi dje se piloti është kapur. Ai po drejtonte një avion luftarak F-16 si pjesë e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër shtetit islamik, kur u rrëzua në afërsi të të Raqqa-s, bazë e militantëve në veri të Sirisë.

Ushtria amerikane pranoi se aeroplani është rrëzuar por mohoi pretendimet e grupit Shteti Islamik se është rrëzuar nga militantët e tij.

Ushtria jordaneze tha se e mban grupin militant përgjegjës për jetën e pilotit. Ajo tha se po shton përpjekjet për të siguruar lirimin e pilotit.

"Në kushtet kur kemi pak informacione, mund të them se qeveria do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të siguruar lirimin e pilotit," tha zëdhnësi i qeverisë jordaneze.

Gjenerali amerikan Lloyd Austin, i cili mbikëqyr luftën e koalicionit të udhëhequr nga SHBA kundër shtetit islamik në Siri dhe Irak, i dënoi fuqimisht militantët për kapjen e pilotit të rrëzuar. Piloti jordanez është personi i parë nga ky koalicion që kapet rob.

XS
SM
MD
LG