Lidhje

Dy pilotë amerikanë në Ditën e Veteranëve


Dy amerikanë që u shquan në shërbimin ushtarak gjatë Luftës II Botërore, por edhe në karrierë pas luftës, po nderohen sot në paradën e organizuar për Ditën e Veteranëve në Nju Jork. Megjithëse gjatë luftës fati i njërit ishte i lidhur ngushtë me tjetrin, është hera e parë që dy pilotët takohen.

Gjermania sulmohet me avionë bombardues. Një avion shoqërues fluturon së bashku me avionin sulmues që misioni të realizohet me sukses. Ky skenar ishte një mision rutinë për dy ushtarakë që tani janë 93-vjeçarë. Skenaristi i njohur Norman Lear ishte pilot i avionëve bombardues B-17, me të cilët realizoi 52 fluturime mbi Gjermani. Në avionin shoqërues ishte Roscoe Brown, edhe vetë ish-pilot bombardues dhe më pas pedagog, i cili bënte pjesë në njësinë Tuskegee, një grup pilotësh afrikano-amerikanë që luftuan gjatë Luftës II Botërore. Megjithëse nuk janë takuar më parë, ata përshëndeten sikur të ishin miq të vjetër.

Brown tregon se kishte shoqëruar njësinë bombarduese të pilotit Lear mbi Berlin dhe kishte goditur një avion të shpejtë gjerman:

“Kur iu afrova Berlinit, pashë avionin gjerman që po lëvizte me shpejtësi. Isha më lart, u ktheva dhe iu afrova në anën e verbër. E vura në shenjestër dhe e godita. Avioni shpërtheu”.

Lear thotë se misioni mori 16 orë për të shkuar nga Italia në Berlin dhe pastaj për kthimin në Itali. Ky u cilësua si misioni më i gjatë në operacionet evropiane.

“Kishte shumë avionë luftarakë dhe artileri anti-ajrore të armikut, prandaj njësia Tuskegee meriton shumë mirënjohje për misionet e tyre shoqëruese”.

Brown thotë se roli i pilotëve Tuskegee në Luftën II Botërore rrëzoi mitet që ekzistonin për afrikano-amerikanët.

“Ekzistonte stereotipi se afrikano-amerikanët nuk ishin inteligjentë, të guximshëm apo të aftë për të udhëhequr, pra shiheshin si të paaftë për misione fluturuese. Ne i rrëzuam këto mite”.

Norman Lear, i cili ka krijuar disa emisione televizive të suksesshme dukej shumë i emocionuar që takohej me pilotin që i kishte shpëtuar atij dhe ekipit të tij jetën në shumë raste:

“Ai ishte piloti ynë shoqërues, pra na shpëtoi jetën gjatë misioneve. Dhe tani takohemi 70 vjet më pas...”.

XS
SM
MD
LG