Lidhje

Ndërtimi i tubacionit shkakton përleshje në D. Veriore


Në shtetin e Dakotës Veriore të enjten pati përleshje mes protesuesve dhe policisë, në një vend ku aktivistët ishin përpjekur prej muajsh të bllokonin ndërtimin e një tubacioni nafte, për të cilin ata thonë se shkel territorin e banuar nga popullsia indigjene indiane e Amerikës.

Shefi i policisë lokale, Kyle Kirchmeier, i tha gazetarëve se protestuesit i kishin larguar nga zona, edhe pse sipas disa njoftimeve të medias jo të gjithë ata i kishin larguar prej andej. Disa protesues u arrestuan, por nuk u dhanë hollësi të menjëhershme për këtë çështje.

Gjatë ditëve të fundit demonstruesit pranë Tubacionit të Dakotës "i kishin shkallëzuar sjelljet e tyre në shkelje të ligjit, duke vendosur bllokime të paligjshme në rrugë, duke hyrë pa leje në prona private dhe duke ngritur një kamp me tenda dhe struktura të tjera", - tha sherifi.

Shefi i policisë, Kirchmeier, tha se të mërkurën ai i kishte paralajmëruar për herë të fundit protesuesit që të largoheshin, ose në të kundërt do t'i largonin ata me forcë, përderisa bllokimi i rrugëve dhe zaptimi i pronave përbënte rrezik për sigurinë e publikut.

Përleshjet filluan të enjten, kur policia lokale, së bashku me përforcime nga policitë e shtatë shteteve të tjera, filluan të hiqnin bllokimet dhe të shpërndanin protesuesit.

Authoritetet përdorën një top artilerie me zhurmë për të shpërndarë aktivistët, të cilët u vunë zjarrin disa prej barrikadave të ngritura prej tyre me goma makinash dhe drunj.

Ndërtimi i tubacionit të Dakotës thuajse ka përfunduar. Ky projekt shtrihet në 1 mijë e 700 kilometra katrore përgjatë Shteteve të Bashkuara, nga veriu për në qendër të vendit dhe ai synon transportimin e të paktën 400 mijë fuçive me naftë të papërpunuar në ditë nga fushat naftëmbajtëse të Dakotës së Veriut, për në një qendër të tubacionit në shtetin e Illinoit. Destinacioni përfundimtar i naftës do të ishin portet dhe rafineritë në pjesë të ndryshme të vendit.

Indianët e Amerikës dhe përkrahësit e tyre, përfshirë kandidatin për president të Partisë së Gjelbërt, Jill Stein dhe aktivistin veteran të të drejtave civile Jesse Jackson, thonë se tubacioni do të rrezikonte rezervat e ujit dhe do të dëmtonte zonat e shenjta për fiset lokale të indianëve, të njohur si "Standing Rock Sioux ".

Qindra përkrahës shkuan në zonën e liqenit Oahe për të shprehur mbështetjen e tyre për protestuesit lokalë Sioux. Më tepër se gjysma e fiseve indiane të Amerikës mbështesin fisin Sioux dhe disa kongresmenë i kanë shkruar letër Kongresit, ku i kërkohet administratës së Presidentit Obama që ta ndalë ndërtimin e tubacionit.

Qeveria federale i kërkoi ekipeve të ndërtimit të tubacionit ta ndalin vullnetarisht ndërtimin e kanalit pranë rezervatit të fisit Sioux, ndërkohë që autoritetet ta rishqyrtjnë planin, por gjykatat kanë refuzuar të venë në zbatim urdhërin për ndalimin e punimeve.

XS
SM
MD
LG