Lidhje

Oscar Pistorius lirohet me kusht


Gjyqtari arriti në përfundimin që Pistoriusi mund të hetohet në gjendje të lirë, por ai vendosi një garanci monetare prej 112 mijë dollarësh

Ylli olimpik afrikano-jugor Oscar Pistorius u lirua me kusht ndërsa përgatitet të përballet me akuzat për vrasjen e së dashurës së tij Reeva Steenkamp.

Në një vendim të gjatë gjyqësor ditën e sotme ku u kritikua ashpër hetimi policor i vendngjarjes, gjyqtari Desmond Nair arriti në përfundimin që Pistoriusi mund të hetohet në gjendje të lirë. Ai vendosi një garanci monetare për lirimin e tij prej rreth 112 mijë dollarësh.

Gjykatësi lexoi vendimin e tij për rreth 2 orë në gjykatën e Pretorias. Kur ai mbërriti në momentin e lirimit me kusht, familja e Pistoriusit reagoi me gëzim.

Oscar Pistorius, ka kaluar 8 ditë nën mbikqyrje e policisë që nga dita e vrasjes së të dashurës së tij.

Pistorius thotë se ai e goditi Steenkampin pasi mendoi se ishte një hajdut që kishte hyrë në shtëpi në mes të natës. Prokurorët e akuzojnë atë për vrasje me paramendim.

Gjykatësi Nair tha se ai nuk arrin në përfundimin se Pistorius është person me rrezikshmëri, ose që ai ka prirjen për të qenë i dhunshëm apo që të ndikojë në hetimin e policisë.
XS
SM
MD
LG