Lidhje

Piter Faith: Pavarësisë së mbikqyrur në Kosovë po i vjen fundi

  • Leonat Shehu
  • Prishtinë

Piter Faith: Pavarësisë së mbikqyrur në Kosovë po i vjen fundi

Piter Faith: Pavarësisë së mbikqyrur në Kosovë po i vjen fundi

Shefi i zyrës civile ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Faith tha sot se periudhës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovë po i vjen fundi.

Ai i bëri këto komente gjatë një ligjërate në një shkollë të mesme në Prishtinë një ditë para se parlamenti i Kosovës të fillojë procesin e ndryshimeve kushtetuese, si pjesë e një marrëveshjeje politike e cila mundësoi zhbllokimin e ngërçit politikë në fillim të këtij muaji.

Ndryshimet kushtetuese sipas marrëveshjes do të duhej të përfshinte pjesën që ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit të Kosovës që në të ardhmen duhet të zgjidhet më vota të drejtpërdrejta, për të shmangur problemet e deritashme.

Por, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se ndryshimet do të jenë më tepër se kaq. Ato ka thënë ai duhet të jenë thelbësore që përshpejtojnë forcimin e shtetit dhe përmbylljen e fazës së pavarësisë së mbikëqyrur të pavarësisë së Kosovës.

Përfaqësuesi civil ndërkombëtarë, Pieter Faith tha sot se ndryshimet kushtetuese i takojnë Parlamentit dhe ai nuk do të ndikojë në të, por nënvizoi se ndryshimet duhet të sigurojnë forcimin e pozitës së femrës dhe të mos ndikojnë në trajtimin e komuniteteve pakicë.

“Roli im, si përfaqësues civil ndërkombëtar është duke i ardhur fundi. Shpresoj se do të kem rastin të vijë sërish në mesin tuaj, por jo shumë larg nga kjo ditë ku mandati im si mbikëqyrës i Pavarësisë së Kosovës do të marr fund dhe mendoj se kjo është gjë e duhur për të bërë sepse mendoj që ndërkombëtarët nuk duhet të rijnë në Kosovë më shumë se sa është e nevojshme”, tha zoti Faith.

Kosova shpalli pavarësinë ne shkurt të vitit 2008 ndërsa një numër shtetesh që e kanë njohur atë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian themeluan grupin drejtues ndërkombëtarë për Kosovën dhe vunë zotin Faith në postin e mbikëqyrësit të pavarësisë.

Por, pavarësia e Kosovës vazhdon të kundërshtohet ashpër nga Serbia, me të cilën Kosova, muajin e kaluar filloi një raund bisedimesh për zgjidhjen e çështjeve praktike të interesit të përbashkët. Zoti Faith tha sot se këto bisedime janë të domosdoshme në radhë të parë për shkak të realitetit të krijuar me refuzimin e Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës.

“Në qoftë se nuk do të ketë bisedime, mendoj që do të dëmtohet zhvillimi i Kosovës por edhe ai i Serbisë. Ne duhet të bëjmë të mundur që të dyja palët të pajtohen për disa çështje praktike, siç janë, tregtia, liria e lëvizjes, shkëmbimi i dokumenteve dhe regjistrave”, tha ai.

Por, zoti Faith tha se edhe veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe do të jetë temë bisedimesh ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit, por nënvizoi se veriu është dhe do të mbetet pjesë e Kosovës, por duhet punë për të vendosur sundimin ligjit në atë pjesë dhe krijimin e kushteve të mira ekonomike e sociale të qytetarëve në atë pjesë.

Veriu i Kosovës edhe më shumë se tri vjet pas pavarësisë së Kosovës ka mbetur jashtë rendit kushtetuese të saj për shkak të refuzimit të qytetarëve serbë për t’u integruar në jetën politike në shtetin e ri.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG