Lidhje

Uashington: Forum kundër terrorizmit


Nesër dhe pasnesër në Uashington do të mbahet një forum me pjesmarrjen e zyrtarëve nga mbi 22 vende të Evropës për të diskutuar çështje si siguria në Internet, lufta kundër financimit të terrorizmit dhe mënyra se si mbikqyren ato në Kongresin amerikan. Pjesëmarrësit janë kryesisht anëtarë parlamentesh, ambasadorë dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Nga Shqipëria do të jetë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Organizatori kryesor i këtij forumi, kongresmeni Robert Pittenger, ishte në Zërin e Amerikës dhe u intervistua nga kolegu ynë Ilir Ikonomi. Ai shpjegoi fillimisht se çfarë përfaqëson ky forum dhe kush do të flasë aty nga pala amerikane:

Uashington: Forum kundër terrorizmit
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:49 0:00

ROBERT PITTENGER: Ky është i treti në një seri forumesh të këtij lloji duke filluar nga vjeshta e kaluar. Në takimet e para ne diskutonim kryesisht për çështjet e zbulimit, në mënyrë që evropianët të njiheshin me mbikqyrjen që ne ushtrojmë në Kongres për çështje të tilla dhe që është mjaft e gjerë. Tani ne po e zgjerojmë forumin duke përfshirë edhe luftën kibernetike dhe luftën kundër financimit të terrorizmit. Kemi një listë personash që do të flasin, zyrtarë që kanë drejtuar në të kaluarën CIA-n dhe Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe agjenci të tjera. Ata do të flasin për çështje të sigurisë në internet, çështje të zbulimit si dhe për gjurmimin e financimit të terrorizmit.

ZËRI I AMERIKËS: Disa prej vendeve nga vijnë anëtarët e parlamenteve, po përmbyten nga një valë masive refugjatësh dhe emigrantësh që kalojnë kufij shtetërorë, pa u kontrolluar. A jeni i shqetësuar se kjo mund të krijojë një valë terrorizmi?

ROBERT PITTENGER: Absolutisht që po. Vetëm nga Siria janë zhvendosur 11 milion njerëz, prandaj ne jemi të shqetësuar. Shumica e të zhvendosurve kërkojnë siguri për familjet e tyre. Por ka nga ata që kanë shkuar në Siri për të luftuar dhe që janë nga rreth 90 vende. Disa prej tyre kanë pasaporta, sidomos evropiane, dhe ata shumë lehtë mund të vijnë në Shtetet e Bashkuara apo ta bëjnë punën e tyre në Evropë. Ne punojmë shumë në aspektin e zbulimit për të diktuar interesat dhe objektivat e tyre. Ne duhet të punojmë gjithashtu në aspektin e financimit, që ekstremistët islamikë të mos kenë mundësi financiare për të ndjekur qëllimet e tyre.

ZËRI I AMERIKËS: Disa nga këto vende nuk kanë aftësitë e duhura për kontrollin e eimigrantëve që kalojnë nëpër kufijtë e tyre. A janë Shtetet e Bashkuara të gatshme të ndihmojnë në këtë aspekt?

ROBERT PITTENGER: Po. Ne po ndihmojmë sa mundemi, por kur kufijtë janë të hapur, siç janë në Evropë, kjo e bën punën të vështirë. Mendoj se disa çështje janë të veçanta për Evropën dhe u takon atyre të gjejnë rrugën e duhur. Ne nuk mund t’i diktojmë Evropës se çfarë duhet të bëjë në politikat e saj kufitare.

ZËRI I AMERIKËS: A mendoni se përfshirja e Rusisë në Siri mund të çojë në një shtim të valës së refugjatëve? A ju shqetëson ju kjo?

ROBERT PITTENGER: Po. Presidenti ynë i la rrugë të lirë Rusisë. Objektivi i tij ishte i qartë: të mos ndërhynte në Siri. Mendoj se mungesa e rolit amerikan në botë është shqetësim për udhëheqësit botërorë me të cilët unë takohem dhe unë takohem me shumë krerë shtetesh apo ministra të jashtëm. Ata e shprehin këtë shqetësim. Ata duan një rol udhëheqës moral nga ana e Shteteve të Bashkuara. Ne e pamë këtë në vitet 80, kur ne luanim rol udhëheqës dhe si rrjedhojë Bashkimi Sovjetik u shpërbë pa shkrehur asnjë pushkë. Në atë kohë ne forcuam ushtrinë, punuam me aleatët evropianë për sanksione ekonomike, punuam me Papa Gjon Palin për çështjet e të drejtave të njeriut dhe të gjitha këto së bashku patën ndikim mbi Bashkimin Sovjetik derisa zoti Gorbaçov nuk mundi të rezistonte më.

ZËRI I AMERIKËS: Çfarë e bën ISIS-in tërheqës për të rinjtë?

ROBERT PITTENGER: Është një naivitet mes atyre që kërkojnë të luftojnë për një kauzë, një luftë për të cilën atyre u bëhet propagandë se gjoja Amerika është Satanai i Madh, ndërkohë që atje ku ka shkuar Amerika, ajo i ka çliruar njerëzit dhe nuk ka pushtuar. Ne kemi kërkuar lirinë vetëm për ata njerëz që e kanë dashur atë. Njerëzit e ISIS-it janë shumë të aftë për të komunikuar dhe për t’u lidhur me të tjerët. Shumë nga të rinjtë tërhiqen sepse kanë nevoja emocionale përsa i përket identitetit të tyre. Po të shikosh se cilët tërhiqen më shumë, këta janë të rinj mjaft të izoluar që kërkojnë një kauzë. Prandaj është shumë shqetësues fakti që ISIS-i ka një aftësi kaq të madhe për të tërhequr të rinjtë përmes mediave sociale dhe në mënyra perverse.

XS
SM
MD
LG