Lidhje

Pjesmarrja e aktoreve afrikano amerikane në industrinë e filmit

  • Penelope Poulu

Filmi “The Help” fitoi një Oscar për Aktoren më të mirë joprotagoniste. Por Viola Davis, që luante rolin kryesor nuk u vlerësua me ndonjë çmim.

Në fakt, vetëm një grua afrikano-amerikane ka fituar Oscar si aktorja më e mirë protagoniste. Ky fakt ka nxjerrë në pah mungesën e roleve me peshë për afrikano-amerikanët, veçanërisht gratë.

Mes afrikano-amerikanëve ka lindur gjithashtu një debat i ri. Disa thonë se aktoret afrikano-amerikane që luajnë rolin e shërbëtoreve të viteve ’60 po përforcojnë stereotipet racore.

Në filmin epik të vitit 1939, “Gone with the wind”, Hattie McDaniels që interpreton Mammy-n, një shërbyese zezake ishte afrikano-amerikania e parë që fitoi një Oscar, për rolin joprotagonist.

Që atëherë, aktoret afrikano-amerikane kanë luajtur role të larmishme. Por skenaristi Murray Horwitz sjell argumentin se shumë prej tyre i portretizojnë afrikano-amerikanët si viktima.

“Nëse të japin rolin e viktimës, nuk mund të luash rolin e një burri, gruaje, fëmije tekanjoz, apo një gruaje që tradhëton burrin, apo një burri që është shtyllë për komunitetin. Është një prirje për t’u dhënë një vend të tillë dhe si skenaristë dhe regjisorë duhet ta shmangim”.

Në vitin 1991, Whoopy Goldberg fitoi një Oscar si aktorja më e mirë joprotagoniste për rolin si Oda Mae Brown, një fallxhore në dramën e mbinatyrshme “The Ghost”, “Fantazma”. Por kritikët thanë se personazhi i saj mbështetej në stereotipin e një mashtrueseje afrikano-amerikane.

Në vitin 2001, Halle Berry u bë afrikano-amerikania e parë që fitonte një Oscar si aktorja më e mirë protagoniste, për dramën “Monsters’ Ball”. Ajo luante rolin e gruas së një të dënuari të ekzekutuar.

Horwitz thotë se roli i Halle Berryt si Leticia Musgrove që krijon një marrëdhënie me gardianin e bardhë të burrit të saj të ekzekutuar, ishte diçka e ndryshme nga norma.

“A të krijoheshin ndjesi pozitive për personazhin e Halle Berryt tek ‘Monsters Ball’? Po, por nuk jam i sigurt që do doje të shkoje për darkë me të. Kështuqë një nga fitoret më të mëdha ka qenë prania e afrikano-amerikanëve në role ku raca nuk përcakton plotësisht personazhin dhe duhet një aktor i madh për të luajtur një rol të tillë”.

Horwitz thotë se rolet me nuanca për aktoret afrikano-amerikane kanë qenë të rralla. Shumica përputhet me një model tradicional.

Si për shembull nëna abuzive në dramën e Lee Daniels “Precious” në vitin 2009. Mo’Nique fitoi një Oscar për atë rol.

Filmi, i mbështetur tek një roman paraqet një portret të dëshpëruar të një vajze adoleshente që quhet Precious. Daniels thotë se filmi i tij shpreh realitetin dhe kjo e vërtetë nuk duhet harruar.

“A kemi guxim t’i shfaqim afrikano-amerikanët nën këtë dritë? Veçanërisht tani që Obama është president. Si guxon ta thuash këtë të vërtetë, si guxon ta hedhësh në letër? Dhe unë u befasova nga guximi i shfaqur me këtë libër”.

Daniels thotë se megjithëse historia është e zymtë, të jep zemër. Në fund, Precious e përmirëson jetën e vet.

Ai thotë se ky është një mesazh jo vetëm për afrikano-amerikanët por edhe për amerikanët në përgjithësi.

“Ne të gjithë kemi lëkura të ndryshme. Jemi njerëz me ngjyrë. Disa nga ne janë sportistë, disa janë kontrabandistë droge, disa mjekë, disa vrasës. Jemi njerëz!”

Në ceremoninë e çmimeve Oscar,

Octavia Spencer mori një Oscar si aktorja më e mirë joprotagoniste për rolin e Minnie-t, një shërbëtore në Mississipin e viteve ’60. Aktorja thotë se roli ishte real.

“Unë duhet të kisha dikë si model dhe modeli ishte nëna ime”.

Halle Berry mbetet e vetmja afrikano-amerikane që ka fituar çmimin për rol kryesor.

Dhe kjo shtron pyetjen: A duhet të presin afrikano-amerikanët për role që janë neutrale ndaj racës? Nuk janë edhe aq të shumta. Nga do të vijnë këto role fituese dhe kush do t’i krijojë ato?

XS
SM
MD
LG