Lidhje

Pjesmarrja e lartë në zgjedhje, arritje për Afganistanin


Tre vetë gjetën vdekjen nga shpërthimi i një bombe në anë të rrugës sot në Afganistan, nga i cili u shkatërrua edhe një kamion me tetë kuti me fletë votimi nga zgjedhjet presidenciale. Shpërthimi në veri të vendit ndodhi një ditë pasi njerëzit sfiduan shiun dhe kërcënimet e talebanëve duke votuar për udhëheqësin e ri të vendit.

Presidenti në ikje Hamid Karzai përgëzoi miliona banorët e Afganistanit që nuk u zmbrapsën nga kërcënimet terroriste të Talibanit por votuan të shumtë në zgjedhjet presidenciale.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e djeshme për transferimin e parë demokratik të pushtetit në vend ishte aq e lartë, saqë disa qendrave i mbaruan fletët e votimit.
Masat e sigurisë ishin të rrepta në të gjithë vendin sepse militantët talebanë kishin kërcënuar se do të prishnin votimet, por zgjedhjet duket se u zhvilluan relativisht jo të dhunshme.

"Jemi shumë të lumtur që zgjedhjet e djeshme u zhvilluan në një mjedis të qetë. Kishte masa të larta sigurie në të gjithë vendin dhe kudo situata ishte e qetë," thotë Abdul Latif, banor i Kabulit.

Presidenti në ikje Hamid Karzai përgëzoi miliona afganët të cilët sfiduan kërcënimet terroriste të Talibanit duke u paraqitur në qendrat e votimit për zgjedhjet presidenciale.

Pretendentët për t’u zgjedhur janë Abdullah Abdullah, rivali kryesor i zotit Karzai në zgjedhjet e fundit; Ashraf Ghani Ahmadzai, një akademik dhe ish-zyrtar i Bankës Botërore dhe Zalmai Rassoul, ish-ministër i Jashtëm.

Mendohet gjerësisht se do të zhvillohet një balotazh, meqenëse asnjë nga kandidatët nuk ka gjasa të marrë mbi 50 për qind të votave, shumicë e nevojshme për të fituar në raundin e parë.

Kamionë të ngarkuar me materiale zgjedhore, duke përfshirë kuti votimi, po i transportojnë ato nga qendrat e votimit në Komisionin e Pavarur të Zgjedhjeve në Kabul, ku do të zhvillohet procesi i numërimit.

Bashkësia ndërkombëtare e ka vlerësuar gjerësisht Afganistanin për zgjedhjet, pavarësisht ankesave për mungesa të fletëve të votimit dhe njoftimeve për mashtrim të votave.

Presidenti amerikan Barak Obama publikoi një deklaratë urimi për miliona afganët të cilët votuan në ato që ai i quajti "zgjedhje historike". Ai përmendi me nderim dhe amerikanët që tha se kanë "sakrifikuar kaq shumë" për t’i bërë të mundura këto zgjedhje.

Rezultatet paraprake parashikohen të dalin në ditët dhe javët në vazhdim, ndërsa rezultati përfundimtar pritet brenda datës 14 Maj. Një raund i dytë votimi do të jetë i nevojshëm nëse asnjë nga tetë kandidatët nuk merr më shumë se gjysmën e votave.
XS
SM
MD
LG