Lidhje

Plagët në kokë dhe rreziku për jetën

  • Carol Pearson

Plagët në kokë dhe rreziku për jetën

Plagët në kokë dhe rreziku për jetën

Mjekët që po kurojnë anëtaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Gabriel Gifords, thonë se ligjvënësja e Arizonës e plagosur rëndë, ka bërë një përparim të madh, duke hapur sytë dhe duke lëvizur gjymtyrët.

Neurologu i zonjës Gifords, Dr. Michael Lemole, tha se pacientja është e aftë të ndjekë komanda të thjeshta dhe po e shton vetëdijen për mjedisin përreth, madje po reagon ndaj pjesëtarëve të familjes dhe miqve të saj. Neurologu e quajti këtë përmirësim si një hap shumë të rëndësishëm.

Ligjvënësja Gabriel Gifords është ende nën kujdesin e mjekëve, pas plagës që mori në kokë më 8 janar kur po zhvillonte një aktivitet me elektoratin në shtetin e saj të Arizonës. Në një konferencë për shtyp më 11 janar, mjekët e zonjës Gifords thanë se ushqejnë optimizëm të rezervuar për mbijetesën e saj. Por, siç shpjegojnë mjekët neurologë, një plagë në kokë shoqërohet me shumë rreziqe:

Pjesa më e madhe e njerëzve që goditen me plumb në kokë, vdesin. Por për ligjvënësen nga Arizona, Gabriel Gifords, shumë gjëra shkuan mirë. Së pari, ajo iu nënshtrua operacionit më pak se 40 minuta pas plagosjes. Dr. Peter Rhee drejton qendrën e traumës në Spitalin e Universitetit të Arizonës:

“Pjesa më e madhe e njerëzve që sillen në spital me plagë plumbi në kokë, nuk vijnë në këtë pavion, pasi vdesin tepër shpejt. Pjesa më e madhe e atyre që mbërrijnë gjallë nuk mund të ndjekin komanda. Por në ato raste kur shtrohet një pacient me plagë në kokë dhe ende ka vetëdijen, atëherë fillon detyra jonë”.

Dr. Rhee thotë se zonja Gifords nuk fliste dot, por nuk i kishte humbur ndjenjat:

“Kur i thoja të më shtrëngonte dorën, ajo ma shtrëngonte. I thashë të ma lëshonte dorën dhe më dogjoi. Pra procesi i mendimit vazhdonte”.

Ky është pavioni i traumës ku mjekët punuan për t’i shpëtuar jetën ligjvënëses Gifords.

Dr. Jonathan Slotkin është kirurg neurolog në Qendrën Spitalore të Uashingtonit, i cili ka mjekur pacientë me plagë plumbi në kokë:

“Nga ato që kam parë e kam analizuar në këtë rast, ekipi mjekësor meriton notën maksimale për mënyrën si vepruan”.

Për shembull, Dr. Slotkin thotë se ka rëndësi të veprohet me shpejtësi dhe t’i hiqet pacientit një pjesë e kafkës gjatë operacionit:

“Thuajse çdo pjesë e trupit, kur ënjtet ka vend për indin e ënjtur. Por truri nuk ka vend për ënjtje, pasi kafka është një koracë statike. Prandaj synimi i operacionit ishte ndër të tjera t’i jepte hapësirë trurit për t’u ënjtur”.

Në konferencën për shtyp më 11 janar, mjekët e zonjës Gifords thanë se kanë arritur të ulin sasinë e qetësuesve që po i jepnin pacientes:

“Këto janë mjekime që kanë një afat shumë të shkurtër veprimi. Pra pak minuta apo një orë pasi mjekët ndalojnë qetësuesit, ata mund ta kontrollojnë pacienten për ta parë si reagon”.

Dr. Slotkin thotë se vëmendja kryesore e këtyre ditëve do të jetë që pacientja të jetë në gjendje të marrë frymë pa tubin e frymarrjes.

Dr. Michael Lemole i ekipit mjekësor të zonjës Gifords thotë se ky do të ishte një përmirësim i rëndësishëm:

“Do të doja që zonja Gifords të jetë aq e vetëdijshme sa të komunikojë me ne dhe të vijë momenti për të hequr tubin e frymarrjes”.

Siç shpjegon mjeku, çdo ditë që pacienta vazhdon të marrë frymë përmes tubit, rritet edhe rreziku i prekjes nga pneumonia.

“Gjatë ditëve të ardhshme kërcënimi kryesor nga vdekja për të do të jetë pneumonia”.

Pikërisht për këtë arsye mjekët theksojnë se ligjvënësja Gifords nuk konsiderohet ende jashtë rrezikut.

XS
SM
MD
LG