Lidhje

Plane për restaurimin e Katedrales së Shën Patrikut në Nju Jork

  • Zëri Amerikës

Plane për restaurimin e Katedrales së Shën Patrikut në Nju Jork

Plane për restaurimin e Katedrales së Shën Patrikut në Nju Jork

Katedralja e Shën Patrikut është një ndër objektet më të njohura të Nju Jorkut. Kjo ndërtesë me një rëndësi të madhe simbolike për komunitetin katolik të qytetit dhe për historinë e tij është bërë tani viktimë e peshës së viteve dhe ndotjes së mjedisit. Një projekt i madh restaurimesh është në fazën e planifikimeve për të garantuar që katedralja do të vazhdojë t’u shërbejë brezave të ardhshëm në Nju Jork:

Katedrelja e Shën Patrikut, apo St. Pats siç e quajnë banorët lokalë, është e rrethuar nga grataçela në Bulevardin e famshëm 5th Avenue.

Silueta e saj është një simbol i njohur i panoramës së Nju Jorkut që nga fundi i shekullit të 19. Në vitin 1853, Peshkopi John Hughes i Arqipeshkvisë së Nju Jorkut doli me idenë e ngritjes së një strukture mahnitëse për t’u treguar banorëve të Nju Jorkut, që ishin në masë dërrmuese protestantë, se imigrantët katolikë ishin pjesë e qytetit.

“Ndërtimi i një katedraleje të kësaj madhësie ishte një deklaratë e hapur jo vetër për katolikët, por për këdo tjetër. Kjo strukturë nënkuptonte se katolikët kishin më së fundi status dhe se kjo faltore për Zotin ishte simbol i faktit që ata ishin vendosur tashmë në Botën e Re”.

Monsignor Ritchie ka lindur në Nju Jork dhe ka ardhur në këtë katedrale që kur ishte i vogël. Në vitin 2006 ai mori përgjegjësinë e operacioneve të përditshme të katedrales.

Mbi 5 milionë vizitorë vijnë çdo vit në Katedralen e Shën Patrikut, për t’u lutur apo për të admiruar arkitekturën gotike. Katedralja është një ndërtesë mahnitëse në pamje të parë, por fsheh plot probleme. Dekada pas ndërtimit të saj, katedralja ka hasur në një numër problemesh financiare. Mungesa e fondeve të nevojshme ka penguar riparimet e domosdoshme për ndërtesën. Çdo gjë këtu, që nga dritaret, punimet prej guri dhe vetë organo e katedrales, kanë nevojë për restaurim. Fakti që ndërtesa është në qendër të Nju Jorkut, në mëshirën e shiut acid dhe ajrit të ndotur, e bën edhe më të domosdoshëm një proces të tillë.

Një projekt i madh renovimi është në fazën e planifikimit. Por administruesit e kësaj katedraleje me elemente unike dhe delikate duhet të kujdesen tani për ruajtjen e integritetit të ndërtesës. Çdo element arkitekturor me vjetërsi të tillë kërkon punë të specializuar:

“Dritaret me xhama me ngjyra do të jenë shumë të vështira të restaurohen, pasi nuk ka shumë specialistë që dinë si të punojnë me këtë lloj xhami, veçanërisht kaq të vjetër”.

Gjatë procesit të restaurimeve që mund të zgjasë për muaj me radhë, katedralja do të qëndrojë e hapur, premton Monsignor Ritchie:

“Ka njerëz që s’do ta kishin problem që katedralja të mbyllej deri në përfundim të riparimeve. Por ne as që e diskutojmë këtë mundësi. Katedralja do të qëndrojë e hapur pasi u përket njerëzve nga e gjithë bota. Do të ketë vende që do të jenë të mbyllura për publikun, si rezultat i punimeve, por pjesa më e madhe e ndërtesës do të jetë e hapur”.

Katedralja ka qenë e hapur çdo ditë që kur u hap për herë të parë në vitin 1879.

XS
SM
MD
LG