Lidhje

Planet e Iranit për të zgjeruar aftësitë bërthamore shkaktojnë shqetësime

  • Selah Henesi

Planet e Iranit për të zgjeruar aftësitë bërthamore shkaktojnë shqetësime

Planet e Iranit për të zgjeruar aftësitë bërthamore shkaktojnë shqetësime

Fuqitë botërore shprehën shqetësimin e tyre kohët e fundit rreth qëllimeve bërthamore të Iranit mbasi ky vend shpalli planet e tij për të trefishuar prodhimin e uraniumit të cilësisë së lartë. Në materialin në vazhdim, analistë të ndryshëm flasin për ngërçin e krijuar mes Iranit dhe një numër fuqish botërore dhe mënyrën se si mund të gjendet një zgjidhje për këtë rast.

Ambiciet bërthamore të Iranit po shkaktojnë një shqetësim të madh tek një pjesë e fuqive botërore, thuhet në një njoftim të publikuar kohët e fundit prej tyre.

Gjatë një takimi në Vjenë të mbajtur nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Britania, Franca dhe Gjermania thanë në një deklaratë të përbashkët se Irani duhet të japë më shumë informacione rreth synimeve të tij bërthamore.

Kjo deklaratë pasoi njoftimin e Iranit për të trefishuar prodhimin e uraniumit të pasuruar në nivelin 20%. Fuqitë Botërore janë të mendimit se Irani po zhvillon një program për armët bërthamore.

Mark Fitzpatrik është drejtor i Programit për Çarmatimin në Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike, një grup kërkimor për sigurinë botërore me bazë në Britani.

Ai tha për Zërin e Amerikës se deklarata e Iranit, bërë kohët e fundit është problematike:

“Mendoj se pasurimi i uraniumt nga ana e Iranit ka qenë shqetësim për disa vjet dhe zhvillimet e fundit rreth njoftimit të Iranit se do të rrisë prodhimin e uraniumit 20% të pasuruar, i cili nuk ka përdorim civil dhe i cili i afrohet shumë paisjeve të përdorura për armatime, është më shqetësues se kurrë”.

Irani thotë se qëllimi i programit të tij është sigurimi i energjisë. I pasuruar në nivele të ulta, nën 5%, uraniumi mund të përdoret si karburant për prodhimin e energjisë nga një reaktor.

Irani thotë se ai ka nevojë të prodhojë uranium në nivelin më të lartë, 20% të pastër që të prodhojë energji për një reaktor kërkimor mjekësor për trajtimin e kancerit.

Por nëse uraniumi është më i pastër se 90% ai mund të përdoret për të ndërtuar një armë bërthamore - dhe kjo është ajo që i shqetëson fuqitë botërore.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së i ka kërkuar në mënyrë të përsëritur Iranit të ndalë pasurimin e uraniumit deri sa komuniteti ndërkombëtarë të verifikojë se ai nuk përdoret për qëllime ushtarake. Zoti Fitzpatrik thotë se deri tan ky verifikim ka qenë i pamundur për t’u kryer.

“Agjencia Atomike nuk ka qenë në gjendje të verifikojë, si pasojë e refuzimit të Iranit për të bashkëpunuar plotësisht me hetimet; ai ka refuzuar të lejojë inspektorët që të kenë qasje të plotë; ka refuzuar të japë një informacion të plotë për fabrikat e tij, siç kërkohet nga marrëveshjet e tij të mbrojtjes. Kur një vend shkel detyrimet ndaj Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore në këtë mënyrë, është detyra e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të marrë masa që këto detyrime do të respektohen”.

Në raportin e fundit, kreu i Agjencisë së Energjisë Bërthamore tha se programi bërthamor i Iranit mund të përmbajë “një dimension të mundshëm ushtarak”. Ambasadori i Iranit pranë kësaj agjencie tha se raporti nuk ishte as i balancuar dhe as i faktuar.

Në takimin e Vjenës nuk u planifikuan masa të reja por presidenti Barak Obama tha ditët e fundit se ndaj Iranit mund të vihen sërish sanksione të reja për programin e tij bërthamor.

OKB-ja ka vendosur tashmë 4 raunde sanksionesh ndaj Iranit. Teherani thotë se asnjë ofertë nuk mund të ndalë atë nga pasurimi i uraniumit .

Zoti Fitzpatrik thotë se gjendja po shkon drejt një ngërçi.

“Jam pesimist për arritjen e një zgjidhjeje. Unë parashikoj një situatë të gjatë, të natyrës së luftës së ftohtë ku Irani është nën sanksione në rritje, po rritet izolimi i tij, dhe populli iranin do të mbajë barrën e vendimeve të udhëheqësve të tij”

Një i dërguar i OKB-së e cilësoi njoftimin e Iranit të datës 8 qershor për pasurimin e uraniumit si një “shembull cinik të shkeljes gjithnjë e më të madhe të angazhimeve të këtij vendi”.

Por Riçard Dalon, i cili ka qenë ambasdor i Britanisë në Iran nga vitet 2003-2006, jep një tjetër ide.

Duke folur për Zërin e Amerikës, ai thotë se Irani ka nisur të prodhojë uranium 20% të pastër në fillim të vitit të kaluar dhe si pasojë e sanskioneve ndërkombëtare, Irani nuk ka qasje tek ato materiale që janë të nevojshme për të patur një program pasurimi bërthamor të plotë.

Ai thotë se zyrtarët e të dyja palëve po përpiqen që të rrisin pretendimet përkatëse rreth kësaj çështjeje.

Shtetet e Bashuara dhe fuqitë e tjera botërore, thotë ai, duan një justifikm për të ndërrmarë veprime.

“Ata gjithmonë përpiqen që të sigurojnë prova që të shtojnë trysninë ndërkombëtare për të ardhmen, sepse kanë mbetur të bllokuar tek politika e sanksioneve, që nuk po funksionon. Dhe e vetmja rrugë që ata shohin është të vendosin edhe më shumë sanksione ndaj Iranit. Kjo kërkon që kërcënimi të duket sa më i madh sa herë që ka deklarat të reja”.

Por zoti Dalton thotë se shtimi i sanksioneve nuk do të funksionojë. Ai thotë se politika e këmbënguljes që Irani të pezullojë programin e tij të pasurimit të uraniumit ka dështuar dhe është e nevojshme një qasje e re, më e përshtatshme.

“Ne kemi një instrument të frytshëm me Agjencinë Atomike. Që të sigurohemi se qëllimi i të gjitha aktiviteteve bërthamore të Iranit është paqësor, ne duhet të kemi një sërë masash të përshtatshme kufizuese si dhe një sistem monitorues nga ana e Agjencisë Bërthamore për çdo gjë që Irani bën. Ky duhet të jetë tani objektivi i negociatave ndërkombëtare, të cilat kanë hyrë në rrugë pa krye për një kohë shumë të gjatë. ”

Në deklaratën e tij të datës 8 qershor, Irani tha se prodhimi i uraniumit të cilësisë së lartë do të kryhet në Fordo, një fabrikë rreth 150 km larg Teheranit.

Ekzistenca e Fordo-s, u mbajt sekret për një kohë të gjatë deri sa u identifikua nga shërbimet sekrete perëndimore në shtator të vitit 2009.

XS
SM
MD
LG