Lidhje

Planet e Phenianit për hedhjen e një rakete, goditje për diplomacinë ndërkombëtare

  • Stiv Herman

F

F

Diplomatë dhe analistë përgjithësisht shprehen pesimistë për rezultatin e trysnisë ndërkombëtare në drejtim të nxitjes së Koresë së Veriut për të ndalur hedhjen e një rakete në mes të prillit. Ky fakt ka zgjuar mëdyshje lidhur me suksesin e përpjekjeve diplomatike me këtë vend të izoluar. Korrespondenti Steve Herman njofton nga Seuli:

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon iu bashkua së fundmi zërave që po i kundërvihen idesë së Koresë së Veriut për të hedhur raketën në prill.

"U bëj thirrje autoriteteve të Koresë së Veriut të frenohen në këto akte, që do të destabilizonin situatën dhe paqen në gadishullin Korean dhe që bien ndesh me aspiratat dhe synimet e komunitetit ndërkombëtar”.

Zoti Ban thotë se hedhja e raketës do të ishte shkelje e rezolutave të Këshillit të Sigurimit dhe se ai do ta ngrejë këtë çështje në takimin e ardhshëm ndërkombëtar mbi aktivitetet bërthamore që do të mbahet në Seul.

Koreja e Veriut thotë se ka të drejtën sovrane për të hedhur satelitë shkencorë në hapësirë. Por ky vend komunist është nën sanksione si rezultat i programeve të tij bërthamore dhe të zhvillimit të raketave. Si rezultat i shqetësimeve se Pheniani synon të pajisë raketat me mbushje bërthamore, këtij vendi i janë ndaluar hedhjet e mjeteve hapësinore.

Një komunikatë e Koresë së Veriut kërcënon hapjen e luftës kundër Koresë së Jugut dhe aleatëve të saj nëse programi bërthamor i Phenianit hapet për diskutim në takimin e javës së ardhshme në Seul.

Analistët thonë se megjithëse komente të tilla nuk ka arsye të bëhen shkak për alarm, është me vend të tregohet vëmendje në këtë drejtim.

Studiuesi William Tobey pranë Universitetit Harvard ka qenë anëtar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë gjatë tre administratave amerikane:

"Koreja e Veriut thotë marrëzira çdo javë. Por në disa raste ata bëjnë edhe veprime të çmendua. Ata fundosën një anije luftarake të Koresë së Jugut. Ata kanë sulmuar me artileri Korenë e Jugut. Ata kanë kryer akte terroriste në të kaluarën. Prandaj kërcënimet e Koresë së Veriut duhen marrë seriozisht, por është vështirë të thuhet se sa aktual është ky kërcënim”.

Analistët ndërkombëtarë thanë në një konferencë të ditëve të fundit se është thuajse e garantuar se hedhja e raketës së Koresë së Veriut do të dëmtojë përpjekjet diplomatike si dhe shpresat për rifillimin e bisedimeve gjashtë-palëshe mbi programet bërthamore të Koresë së Veriut.

Sipas pikëpamjes së Uashingtonit, këto përpjekje dëmtojnë një marrëveshje të arritur me Phenianin muajin e kaluar sipas së cilës Shtetet e Bashkuara do të ofronin ndihma me ushqime në shkëmbim për ngrirjen e programeve bërthamore të Phenianit.

Ish-analistja e CIA-s Sue Mi Terry e sheh këtë zhvillim si pjesë e një cikli që ndjek Koreja e Veriut pas marrëveshjeve të arritura, duke rezultuar në sabotimin e këtyre arritjeve.

Zonja Terry, tani studiuese pranë Qendrës për Azinë Lindore në Universitetin Columbia, thotë “I jemi futur një rruge pa krye” që ofron shumë pak opsione. Ajo sugjeron një strategji tjetër:

"Vazhdimi i manovrave ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, forcimi i sanksioneve dhe angazhimi i Kinës duke e nxitur Pekinin të ushtrojë presion”.

Disa diplomatë, analistë dhe pjesëtarë të agjencive të zbulimit besojnë se pasuesit e vijës së ashpër në Phenian, qofshin në ushtri apo në udhëheqjen politike po minojnë përpjekjet e diplomatëve të Koresë së Veriut.

Analistët thonë se hedhja e raketës mund të ketë qenë planifikuar prej kohësh, pa dyshim që para finalizimit të marrëveshjes me diplomatët koreano-veriorë që u njoftua në Uashington më 29 shkurt.

Sharon Squassoni, ish-këshilltare e Kongresit amerikan për armët e shkatërrimit në masë, është një ndër specialistët mbi përhapjen e armëve bërthamore në Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike.

"Veprimet e fundit të Koresë së Veriut kanë befasuar edhe disa nga analistët më të vjetër të politikave të Phenianit. Isha në Phenian që para vdekjes së Kim Jong Ilit dhe vërejta që këto akte ishin në diskutim që në atë kohë”.

Shumë analistë mendojnë se kalimi i pushtetit në duart e Kim Jong Unit është i sigurtë. Por ish-analistja e CIA-s, zonja Terry nuk mendon se ky proces ka përfunduar:

"Procesi i kalimit të pushtetit nuk po ecën krejt mirë. Kim Jong Un ende vazhdon përpjekjet për të konsoliduar udhëheqjen. Pra në Korenë e Veriut ka aktualisht një situatë të pastabilizuar, gjë që e bën këtë çështje edhe më të rrrezikshme”.

Disa zyrtarë të Koresë së Jugut thonë se duke pasur parasysh shtimin e kërcënimeve nga raketat e Veriut, ata po përpiqen të arrijnë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për zgjatjen e rrezes së veprimit të raketave të Jugut.

Aktualisht raketat e Koresë së Jugut kanë një rreze të kufizuar prej 300 kilometrash dhe një peshë prej 500 kilogramësh.

XS
SM
MD
LG