Lidhje

Planet i ri me përmasa sa Toka


As i madh e as i vogël. Jo shumë i nxehtë por as shumë i ftohtë. Bëhet fjalë për një planet të ri të sapo zbuluar që duket i përshtatshëm për të jetuar, thonë disa astronomë nga vende të ndryshme.

Në orbitën e një ylli 500 vjet dritë larg, planeti i quajtur Kepler-186f ka thuajse të njëjtën madhësi sa toka. Sikurse tregojnë edhe këto pamje, ai sillet rreth diellit të vet në distancën e duhur për të patur ujë të lëngshëm në sipërfaqe. Është një kusht thelbësor për jetën që ne njohim.

Por nuk është krejt njëlloj si toka, thotë shkencëtarja e NASË-s Elisa Quintana.

“Është si kushëri i tokës dhe jo binjak i saj. Ka karakteristika të njëjta me tokën por diejt e tyre janë krejt ndryshe”.

Kepler-186f sillet rreth një dielli më të vogël dhe më të ftohtë se sa dielli ynë. Por astronomët shkruajnë në revistën Science se planeti duket më i ngjashmi me tokën krahasuar me qindra të tjerë të zbuluar më parë.

Disa janë gjigandë të mbuluar nga gazet dhe atmosfera e trashë. Të tjerët sillen shumë pranë diejve të tyre dhe janë tepër të nxehtë për jetën. Dy planete të zbuluara vitin e kaluar, thotë Quintana, janë në orbitën e duhur dhe mund jenë kandidatë për jetën, por janë më të mëdhenj se toka.

“Për herë të parë mund të themi se kemi një planet sa toka që sillet në zonën e banueshme të diellit të tij.”

Mund të jetë hera e parë por ndoshta jo e fundit, thotë astrofizikania Sara Seager e Institutit të Teknologjisë Masaçusets.

“Kemi dekada që presim për të kuptuar ngjashmërinë mes planeteve të banueshme dhe duket se janë shumë të ngjashëm. Kjo na nxit të ndërmarrim hapin tjetër.”

Hapi tjetër do të jetë kërkimi i gjurmëve të jetës në atmosferat e këtyre botëve të largëta. Kjo kërkon teleskopë më të sofistikuar. Por shkurtimet buxhetore e rrezikojnë këtë mision, thotë astrofizikani Ben Zuckerman i Universitetit të Kalifornisë në Los Angeles.

“Në parim, kjo do të bëhet në dekadat e ardhëshme. Praktikisht, sepse s'ka para. Nuk do të ndodhë gjatë jetës time.”

Por, Elisa Quintana beson se kur të lëshohet teleskopi hapsionor i gjeneratës tjetër, ai do të gjejë se ne nuk jemi të vetëm në univers.

“Jam optimiste. Mendoj se atje, mes bollëkut të planeteve dhe yjeve të panumërt, ka jetë. Mundësia është e madhe që një prej tyre të ketë një lloj forme jete. Por çdo kush ka mendimin e vet.”

Ndërkohë, kërkimet vazhdojnë për botë të tjera ku jeta mund të ketë gjetur folenë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG