Lidhje

Planeti Venus kalon përgjatë faqes së diellit

  • Suzzane Presto

5 dhe 6 qershori shënojnë një ngjarje të rrallë astronomike

Të martën dhe të mërkurën me 5 dhe 6 qershor, njerëzit në mbarë botën do të kenë rastin të shohin një ngjarje të rrallë astronomike, lëvizjen tranzite të planetit Venus. Mesa duket do të jetë hera e fundit që ata që jetojnë sot të shikojnë një ngjarje të tillë. Materiali në vazhdim na tregon se çfarë mund të presim.

Miliona njerëz dolën në vitin 2004 për të parë Venusin ndërkohë që kaloi përballë diellit për herë të parë që nga viti 1882.

Kalimi i Venusit ka ndodhur vetëm gjashtë herë që nga vëzhgimi i këtij fenomeni për herë të parë me teleskop në vitin 1639 dhe vetëm një herë që nga shpikja e televizionit.

Sikurse shihet në këtë video nga 2004, Venusi duket në siluetë duke shkaktuar një pikë të vogël të zezë mbi diell. Është një rast i pazakontë, por jo domosdoshmërisht spektakolar. David DeVorkin është me Museumin Kombëtar Smithsonian të Aeronautikës këtu në Uashington.

“Për njerëzit e zakonshëm që nuk e dinë, nuk po ndodh gjë. Nuk do të ketë ndryshime në shkëlqimin e qiellit apo zogjtë nuk kthehen në fole apo ndonjë gjë si këto. Por për atë që e di, është diçka tejet interesante.”

Ky fenomen ndodh mjaft rrallë. Kalimi ndodh në çift dhe këto kalime dyshe janë të ndara me më shumë se një shekull. Kalimi i tanishëm pason atë të vitit 2004, i cili i bëri kureshtarë njerëzit në mbarë botën, përfshi DeVorkin.

“Nëse e shikon diellin, vëren formimin e një pike të errët në qoshe të sipërfaqes që është sa 1 e 30-ta e madhësisë së diskut të vetë diellit, dhe brenda disa orësh do të shtegtojë në sipërfaqen e diellit.”

Vëzhgimi duhet të bëhet i kujdesshëm. Nuk duhet të shikohet dielli direkt pa mbrojtje të syve, por mund të përdoren syzet dhe teleskopë me filtera mbrojtës.

Ndërsa njerëzimi në shekullin tonë argëtohet nga spektakli, shkencëtarët në shekujt e kaluar e përdornin tranzitin për të dhënë përgjigje lidhur me sistemin diellor.

“Astronomët e kuptuan që në shekullin e 17-të se nëse mund të parashikosh me saktësi kalimin e Venusit përgjatë diellit, dhe ta parashikosh me saktësi nga dy pjesët gjerësisht të ndryshme të tokës, mund të përdorësh kohët e ndryshme për të përllogaritur largësinë nga dielli, që ishte një pyetje themelore.

Kalimi tjetër i Venusit para diellit është në vitin 2117.

XS
SM
MD
LG