Lidhje

"Play Lady" inkurajon të gjithë të luajnë jashtë


Në këtë kohë të lojrave elektronike dhe DVD-ve, luajtja përjashta është bërë si një art i humbur për shumë fëmijë, veçanërisht në zonat urbane. Por një ish mësuese beson në përfitimet e të luajturit përjashta dhe inkurajon fëmijët dhe të rriturit që ta bëjnë këtë pjesë të regullt të jetës së tyre. Kjo mësuese, që njihet edhe si 'Play Lady' ose Lejdi e Lojrave organizon regullisht ditë lojërash në rrethinat e Uashingtonit.

Kohët e fundit në një të shtunë mbasdite, rruga në një lagje në periferi të Uashingtonit është mbyllur për trafikun dhe është transformuar në një kënd lodrash. Fëmijë dhe të rritur të të gjitha moshave kishin dalë përjashta.

"Kjo është gjimnastikë për mua. Është një ditë shumë e bukur, prandaj dolëm përjashta për të luajtur. Ne të gjithëve na pëlqen të luajmë prandaj edhe jemi këtu”.

Në lagjen Takoma Park të shtetit Maryland kjo është një ditë për të luajtur, e organizuar nga banorja Pat Rumbaugh dhe grupi i saj vullnetar. Pat Rumbaugh themeloi grupin Takoma Plays para 5 vjetësh.

“Ne ftojmë të gjithë dhe jo vetëm banorët e lagjes Takoma Park, sepse synimi ynë është që të inkurajojmë të gjithë njerëzit të luajnë përjashta”.

Zonja Rumbaugh njihet në lagje si ‘Play Lady’. Kohët e fundit ajo doli në pension, pasi dha mësim fiskulture në një shkollë të mesme në Uashington për 30 vjet. Ajo thotë se njerzit duhet të luajnë çdo ditë, veçanërisht nëse ata punojnë shumë.

“Studime të fundit tregojnë se shoqëria, njerzit në përgjithësi ndjehen më mirë kur dalin përjashta për të luajtur. Kur ata luajnë ata janë më pak të stresuar, janë më të gëzuar dhe më të kënaqur me jetën e tyre”.

Ajo thotë se fëmijët përfitojnë më shumë nga të luajturit lirisht, jo në forma të organizuara.

“Fëmijët mësojnë si të shkojnë mirë me njeri tjetrin, mësojnë të negociojnë dhe të jenë të sjellshëm me të tjerët. Ata mësojnë përvoja të reja dhe si të luajnë lojra të reja”.

Madje ata mësojnë si të organizojnë aventura të reja, kostume me rrobat e dhuruara nga fqinjët.

“Kur ata luajnë role të ndryshme me kostumet që veshin, ata bëhen krijues dhe imagjinues, diçka që mund të mos e kenë provuar më parë”.

Tony Castleman doli përjashta për të luajtur me dy djemtë e tij.

“Ata po kënaqen duke luajtur. Mendoj se është diçka e mirë për fëmijët që të luajnë lirshëm përjashta. Shpesh aktivitetet ditore janë të organizuara dhe në to përfshihen edhe lojrat elektronike dhe aspekte të ngjashme”.

Zoti Castleman thotë se një aktivitet i tillë ndihmon fqinjët të njihen me njeri tjetrin.

“Mendoj se është një mënyrë shumë e mirë që fqinjët të njihen më mirë me njeri tjetrin dhe të kalojnë kohë së bashku”.

Jamie Raskin, i cili përfaqëson distriktin Takoma Park në senatin e shtetit të Marilandit, mendon se edhe kjo është ide e mirë.

“Mendoj se një gjë e tillë mund të bëhet në qytete dhe distrikte të tjera të shtetit dhe më në fund në mbarë vendin. Aktivitete të tilla bëjnë që njerëzit të dalin përjashta dhe të nxjerrin fëmijët të luajnë me njeri tjetrin”.

Ky është edhe objektivi i madh i ardhshëm i zonjës Rumbaugh.

“Kam vendosur të krijoj një organizatë jofitimprurëse të quajtur Let’s Play America që do të ndihmonte organizimin e lojrave në komunitete, fshatra dhe qytete në gjithë Amerikën”.

Pat Rumbaugh shpreson që shkollat ta përqafojnë këtë nismë dhe që çdo njeri në gjithë vendin të dalë përjashta për të luajtur dhe për të gëzuar përfitimet e aktiviteteve të tilla.
XS
SM
MD
LG