Lidhje

Nderohen poetët e pushkatuar


Poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka nderohen në 35 vjetorin e pushkatimit nga komunizmi.

Instituti i të përndjekurve politikë dhe instituti për ndriçimin e krimeve të diktaturës organizuar sot një konferencë në akademinë e shkencave në 35 vjetorin e pushkatimit nga diktatura komuniste të dy poetëve disidentë Vilson Bloshmi dhe Genc Leka. Vilsoni dhe Genci ishin mësues me profesion në një fshat të Librazhdit që regjimi i çoi të punonin njëri në minierë, tjetri në bujqësi, dhe më vonë i pushkatoi për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor, për disa poezi dhe shkrime letrare që nuk u botuan asnjëherë gjatë komunizmit.
Studiuesi Mark Marku thotë se letërsia e shkrimtarëve të ndaluar është shkruar estetikisht ndryshe nga rregullat e ngurta të realizmit socialist dhe ideologjikisht kundër regjimit komunist. Kjo letërsi nuk pranohet na njerëz të formuar me ideologjinë komuniste dhe estetikën e realizmit socialist dhe që të pranohet kjo letërsi, duhet që njerëzit të ndryshojnë veten e tyre. “Shkrimtarë si Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, por jo vetëm ata, kanë punuar dhe shkruar për lexues që nuk ekzistonin, ose që ishin shumë të rrallë në kohën e tyre, për lexues të paindoktrinuar, për një lexues me mendje të lirë, me mendje të hapur. Ky është pikëtakimi i poezisë dhe letërsisë së ndaluar në kohën e komunizmit me lexuesin modern të paindoktrinuar nga dogma komuniste” - tha zoti Marku.

Ndërsa studiuesi Agron Tufa citoi shkrimtarin e njohur Ismail Kadare, i cili vlerëson këta dy poetë të pushkatuar nga diktatura komuniste. “Dy djem nga Bërzeshta, dy poet, dy njerëz kërkuan të bënin art në kohën që kërkohej të bëhej egërsi, dhe ata do të jenë të përhershëm dhe të paharrueshëm - ka thënë Kadare. Pikërisht hapjen e letrave dhe dëshmive të rënda nga dosjet e diktaturës për të cilat flet Kadareja politika jonë shtetërore me trashëgimtarët e diktaturës në instancat më të larta të drejtësisë e mban peng. Në këtë mënyrë e gjithë shoqëria jonë vazhdon të mbetet peng e të shkuarës” - tha zoti Tufa.

Ministri i kulturës, Aldo Bumçi,tha se veprat e këtyre poetëve të martirizuar janë botuar të plota dhe për ta ka monumente dhe vlerësime, por kjo nuk mjafton. “Ne duhet të gjejmë mënyra se si duhet t’i flasim brezit të ri për këto ngjarje. Jo vetëm atyre që kanë patur një lidhje me kohët e kaluara dhe i kujtojnë këto dy figura si simbole të rezistencës dhe të vuajtjes. Brezit të ri i duhet folur përmes dy historive; vuajtjes së tyre dhe veprave të tyre letrare. Të dyja këto janë të pandara dhe janë një dëshmi” - tha ministri Bumçi.

Ndërsa Bedri Blloshmi, vëllai i njërit prej poetëve, edhe ai i dënuar politik në të njëjtin gjyq, lexoi në konferencë disa faqe kujtimesh nga ditarët e shokut të qelisë së vilson blloshmit ku përshkruhen çastet e fundit të amanetit të poetit para pushkatimit të tij. “Rustem! Po të lë një amanet - i thotë vëllai. - Kur të dalësh të shkosh në familje time dhe t’u thuash se nuk i kam turpëruar. Akuzën nuk e pranova se nuk kam bërë asgjë. Diana me gocën të shohin punën e tyre. ky qe fati im. Me fatin nuk luftohet. Këto do t’ua thotë edhe Bedriu kur të lirohet, por atë e kanë dënuar shumë. Edhe një herë ma bëj hallall, Rustem! Lamtumirë!” - citoi Bedriu amanetin e vëllait të tij poet, Vilsonit.

Vilson Blloshmi dhe Genc Leka janë dekoruar nga presidenti i Shqipërisë me tituj nderi dhe në qytetin e Librazhdit është ngritur një monument që nderon kujtimin e tyre, po ashtu krjimtaria e tyre është botuar e plotë. Eshtrat e tyre u hodhën në një përrua nga ushtarakët e atij ekzekutimi, dhe u gjetën me shumë vështirësi nga familjarët në fillim të viteve 90.
XS
SM
MD
LG