Lidhje

Poloni: Fiton partia euroskeptike


Në Poloni, zgjedhjet parlamentare i fitoi Partia konservatore për Ligj dhe Drejtësi, një parti euroskeptike. Kjo parti e zhvilloi fushatën me premtimet për më shumë shpenzime për sistemin e ndihmave sociale, duke kundërshtuar Euron dhe ristemimin e emigrantëve myslimanë në territorin polak.

Sondazhet treguan se fituesit, të udhëhequr nga ish kryeministri Jaroslaw Kaczynski, siguruan pak më tepër se 39 për qind të votave, ndërsa Partia e Platformës Qytetare në pushtet, një parti pro-europiane dhe pro-biznesit, ka dalë e dyta, me një diferencë të ndjeshme, me vetëm 23 për qind.

Nëse të dhënat e anketave nuk ndryshojnë, Partia për Ligj dhe Drejtësi do të ketë një shumicë absolute prej 242 vendesh në Dhomën e Ulët të Parlamentit prej 460 anëtarësh:

"Ne po i shtrijmë dorën të gjithë atyre që kërkojnë ndryshim për mirë në Poloni. Duhet të kemi sa më tepër bashkëpunim.”

Pak pas publikimit të sondazheve pas zgjedhore, kryeministrja Ewa Kopacz e Partisë së Platformës Qytetare pranoi humbjen:

"Pa dyshim, që sot Polonia është më tërheqëse se sa tetë vjet më parë. Sot ajo është një vend që zhvillohet ekonomikisht, me një nivel papunësie jo të lartë. Në këtë situatë ne po ja lemë Poloninë atyre që fituan zgjedhjet.”

Analistët thonë se zgjedhjet në Poloni mund të jenë një sinjal se vendi do t’i bashkohet Hungarisë dhe Sllovakisë, që janë kundër pranimit të emigrantëve, të cilët muajt e fundit kanë hyrë me shumicë në Europë.

Kandidatët e Partisë për Ligj dhe Drejtësi argumentuan se emigrantët myslimanë mund të përbëjnë rrezik ndaj mënyrës polake së jetesës, sipas traditës katolike, ndërsa Jaroslaw Kaczynski në fillim të muajit paralajmëroi se ata mund të sjellin me vete sëmundje të ndryshme dhe parazitë.

Partia për Ligj dhe Drejtësi ishte për herë të fundit në pushtet nga viti 2005 deri në 2007, kur Kaczynski e qeverisi vendin, së bashku me vëllain e tij binjak, ish-presidentin Lech Kaczynski.

Presidenti polak humbi jetën në një aksident ajror në Rusinë perëndimore në vitin 2010.

XS
SM
MD
LG