Lidhje

Poloni: Kthehet trupi i zonjës së parë pas aksidentit me aeroplan

  • Zëri Amerikës

Trupi i zonjës së parë polake u kthye sot nga Rusia, ndërkohë që parlamenti përgatitej të mbante një ceremoni të veçantë në kujtim të presidentit dhe disa ligjvënësve që u vranë nga rrëzimi i aeroplanit. Trupi i zonjës Kazinska, në një arkivol druri të mbështjellur me flamurin polak kuq e bardh, arriti me një aeroplan ushtarak pak pas orës 10:30 në aeroportin Okecie të Varshavës.

Trupi u prit nga fëmija i vetëm i zonjës Kazinska, vajza e saj Marta, dhe vëllai binjak i presidentit të ndjerë, Jaroslav Kazinski. Hetuesit kanë lënë të kuptohet se rrëzimi i aeroplanit të shtunën, që shkaktoi vdekjen e presidentit polak dhe 95 të tjerëve, mund të ketë ndodhur për shkak të gabimeve njerëzore, dhe thanë dje se aeroplani i prodhuar nga rusët nuk kishte pasur probleme teknike.

Aeroplani i tipit Tu-154 u rrëzua ndërsa përpiqej të ulej në kushtet e mjegullës së dendur në Smolensk të Rusisë perëndimore. Të gjithë personat në bord vdiqën, duke përfshirë presidentin Lech Kazinski dhe dhjetëra udhëheqës politikë, ushtarakë dhe fetarë.

Ata po udhëtonin me aeroplanin qeveritar polak për të marrë pjesë në një ceremoni përkujtimore në pyllin Katin, ku 70 vjet më parë u vranë mijëra oficerë ushtarakë polakë nga policia sekrete e Josif Stalinit.

Gjatë ditës së sotme, ligjvënësit do të mblidheshin për një seancë të veçantë në kujtim të zotit Kazinski dhe dhjetëra anëtarëve të parlamentit që vdiqën gjithashtu nga aksidenti. Trupat e presidentit dhe zonjës së parë do të qëndrojnë sot në arkivolë të mbyllur në Pallatin Presidencial. Ceremonia do të jetë e hapur për publikun.

Zëdhënësi i pallatiti Jaçek Sasin tha se varrimi është planifikuar për të shtunën.

Sipas prokurorit të përgjithshëm Andrzej Seremet, deri tani janë gjetur 87 trupa dhe 40 prej tyre janë identifikuar.

XS
SM
MD
LG