Lidhje

Presidenti i ri polak për praninë e NATO-s


Presidenti i ardhshëm i Polonisë, Andrej Duda, i cili merr detyrën javën e ardhshme, thotë se përparësi e tij do të jetë që trupat dhe armatimet e NATO-s të vendosen në mënyrë të përhershme në Poloni, si garanci për sigurinë. Këto komente që zoti Duda i bëri mbrëmë në televizionin shtetëror TVP lenë të kuptohet se ai do t’i vazhdojë politikat aktuale pro-perëndimore dhe lidhjet brenda NATO-s, sidomos në kushtet kur ka një konflikt në Ukrainën fqinjë mes trupave qeveritare dhe separatistëve me mbështetjen e Rusisë.

Deklarata e zotit Durda është e rëndësishme, sepse ai i përket Partisë euroskeptike të opozitës për Drejtësi dhe Ligj, e cila është zotuar të mbrojë interesat e Polonisë në arenën ndërkombëtare, në se fiton në zgjedhjet e përgjithshme të 25 tetorit.

Andrej Duda tha në intervistë se do të dëshironte, që në takimin e vitit të ardhshëm të NATO-s në Poloni, të miratohet një vendim për vendosjen e përhershme të trupave dhe armatimeve të NATO-s në Poloni. Ai tha gjithashtu se do të dëshironte që ushtria polake të modernizohej në një nivel “të respekuteshëm”.

Disa muaj më parë, Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të dislokonin rreth 250 tanke dhe automjete të blinduara në Poloni dhe në disa vende të tjera rajonale të NATO-s, të cilat ndjehen në rrezikuara nga Rusia.

Në frontin e politikës së brendshme, zoti Duda tha se presidenca e tij do të jetë dinamike, se ai do të udhëtojë që të takohet me njerëz, për të dëgjuar shqetësimet e tyre, ashtu sikurse bëri gjatë fushatës së tij të suksesshme presidenciale.

Shqetësimi i zotit Duda për personat që ndjehen të përjashtuar nga bumi ekonomik i Polonisë, mendohet se ka qenë arsyeja kryesore e fitores së tij në zgjedhjet presidenciale.

Një nga vendimet tij të para, tha zoti Duda, do të jetë ndryshimi i ligjit për rritjen e moshës së daljes në pension dhe për t’i dhënë të varfërve lehtësime të reja nga taksat.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG