Lidhje

Marrëveshja fiskale zbulon polarizimin politik


Poralizimi politik që u shfaq së fundmi gjatë negociatave për marrëveshjen fiskale të buxhetit ka shkaktuar pesimizëm tek shumë njerëz lidhur me aftësinë e sistemit demokratik në Amerikë për të funksionuar. Duket se në Uashington është krijuar një klimë bllokimi të përhershëm.

Shumë vizitorë në Kongresin amerikan, si David Stark nga shteti i Merilendit vijnë të admirojnë këtë momument të demokracisë por shprehen të zhgënjyer me polarizimin politik brenda mureve të tij.

“Do të kisha dashur që të kishte një grup që anonte më shumë nga qendra, të kishte vullnetin të distancohej edhe nga udhëheqësit e partisë për të gjetur emërues të përbashkët”.

Kongresi dhe Presidenti Barack Obama arritën një marrëveshje duke shmangur afatin e katastrofës fiskale, që do të kishte imponuar shkurtime drastike shpenzimesh dhe rritje masive taksash, por procesi nxorri në pah paaftësinë e politikanëve për të punuar së bashku.

Negociatat mes Presidentit demokrat Obama dhe kryetarit republikan të Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner, nuk patën sukses. As udhëheqësit demokratë dhe republikanë në Senat nuk ranë dakord.

Analisti Thomas Mann i Institutit Brookings thotë se bllokimi është pjesërisht një problem strukturor i shkaktuar nga politika përçarëse partiake që shpesh bllokon bashkëpunimin mes degëve të qeverisë.

“Partitë tona politike, që nuk ishin parashikuar nga themeluesit e shtetit dhe u përfshinë në kushtetutë, janë transformuar në një mënyrë të tillë që nuk përputhen me sistemin qeverisës”.

Më në fund ishte marrëdhënia mes nënpresidentin Joe Biden, një ish-senator dhe udhëheqësit të pakicës në senat Mitch McConnell që e bëri të mundur kapërcimin e përçarjes. Dhe paketa e miratuar në një seancë të posaçme të kongresit në ditën e Vitit të Ri vetëm sa e shtyu diskutimin për defiçitin në rritje. Megjithatë Mann thotë se ishte një arritje e rëndësishme dypartiake.

“Në fund të fundit ata arritën ta shmangin katastrofën, arritën një marrëveshje dhe fituan mbështetje të gjerë në senat dhe kreu i Dhomës së Përfaqësuesve lejoi që paketa e kundërshtuar nga shumë republikanë të votohej. Pra ishte diçka pozitive”.

Allan Lichtman, profesor historie në Universitetin Amerikan shqetësohet se betejat e ardhshme për buxhetin mund të mbizotërojnë legjislaturën e re.

“Ndërsa shqetësohemi për rritjen e taksave për milionerët nga 35 në 39 për qind, të gjitha problemet e mëdha me të cilat përballet vendi, po neglizhohen plotësisht”.

Profesor Lichtman thotë se ndërsa Kongresi zgjat debatin për buxhetin, ka më pak gjasa të merret me çështje më të rëndësishme si ndihma për katastrofa natyrore dhe zbutjen e efekteve të ngrohjes globale.

XS
SM
MD
LG