Lidhje

Polemika mbi emrin e skuadrës “Redskins”


Një agjenci federale e qeverisë amerikane i dha një fitore të pjesshme një grupi amerikanësh autoktonë, të njohur si indianët e Amerikanës, të cilët janë përpjekur të ndryshojnë emrin e një skuadre futbolli amerikan.
Ata thonë se emri – the Washington Redskins (Lëkurëkuqët e Uashingtonit) – është fyes.
Kongresi Kombëtar i Indianëve Amerikanë transmetoi këtë reklamë në televizion kohët e fundit gjatë një ndeshjeje sportive të rëndësishme. Fraza është një term zhargon për amerikanët autoktonë.

Shumë njerëz mendojnë se emri – dhe logoja – të vendosura në uniformat e skuadrës dhe sendet që ata shesin, janë fyese dhe përçmuese ndaj indianëve të Amerikanës. Kohët e fundit, Zyra e Patentave dhe Markave e Shteteve të Bashkuara u pajtua me ta.
Dekada veprimesh ligjore dështuan për të detyruar ndryshimin e emrit, dhe pronari i tanishëm i skuadrës Dan Snyder ka refuzuar gjithashtu të marrë parasysh kërkesën e amerikanëve autoktonë si Richie Plass nga fisi Menominee.

“Ne, si kushdo tjetër, nuk e thërrasim njëri-tjetrin Lëkurëkuq, por një zotëri në bregun lindor po bën miliona duke përdorur atë term.”

Më 18 qershor, zyra e Patentave dhe Markave u pajtua me amerikanët autoktonë dhe anuloi rregjistrimin e markës së skuadrës të futbollit, duke e quajtur termin “Redskins” (Lëkurëkuq) – përçmues. Nëse vendimi mbështetet nga gjykatat, kjo do të thotë se Redskins nuk do të kenë të drejtat e veçanta si për të shitur sende me logon e tyre në të. Avokatët e skuadrës kanë ngritur padi në gjykata. Ka të ngjarë të duhen vite për të arritur në një vendim. Avokatët e Redskins lëshuan një deklaratë duke thënë:
“E kemi parë këtë histori më parë, dhe, si herën e fundit, vendimi i sotëm nuk do të ketë ndikim mbi pronësinë e skuadrës dhe mbi të drejtën e përdorimit të logos së Redskins.”

Bruce Fein është studiues i Kushtetutës. Ai thotë se skuadra Redskins ka një të drejtë të garantuar nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane, ta quajnë veten si të duan.

“Skuadra Redskins duhet të lejohet të mbajë të njëjtin emër. Unë përdor teorinë e Volterit; mund të mos pajtohem me çfarë thoni por do të mbroj të drejtën tuaj me jetën time.”

Tani për tani, ekipi i ka të drejtat ekskluzive për emrin dhe logon e tij, si dhe shitjen e sendeve me to. Por në qoftë se gjykata vendos kundër ekipit Redskins, skuadra dhe pronari i tij mund të humbasin miliona dollarë në të ardhura nga suvenirët.
Vendimi i zyrës së patentave është një fitore e vogël, por domethënëse për amerikanët autoktonë, të cilët thonë se ndihen të fyer kurdo që skuadra luan në fushë.
XS
SM
MD
LG