Lidhje

Polemika të reja mes kryeministrisë dhe z. Rama


kryeministria
kryeministria
Kryeministria dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u përfshinë sërish në replika brenda javës për mënyrat e funksionimit të institucioneve shtetërore. Pas një debati mbi të ashtuquajturën “qeveri kujdestare”, e cila nuk duhet të merrte vendime të rëndësishme, një tjetër diskutim lindi mes palëve, pasi zoti Rama njoftoi se mirëpriste kërkesa dhe jetëshkrime nga kushdo që ka dëshirë “të provohet në skuadrën e re për Shqipërinë”.
Qeveria publikoi përmes një deklarate shtypi qëndrimin se ministria e punës dhe të gjitha qarqet kanë ndërtuar portalin e e-punësimit, ku çdo i papunë, kudo ku banon, mund të aplikojë online me CV-në e tij për vendin e pritshëm të punës, dhe çdo punëdhënës shpall online në këtë portal vendet e lira në sipërmarrjen e tij, si dhe kërkesat që duhet të plotësojë punëkërkuesi. Në deklaratën e qeverisë theksohet se vendet e administratës janë plotësuar gjithmonë pas njoftimeve në media, dhe me konkurse të hapura nga departamenti i administratës publike.
“Këto praktika punësimi, kanë bërë që aktualisht 21 për qind e administratës shqiptare janë të diplomuar në universitetet më të mira perëndimore, kundrejt vetëm 1 për qind që ishte në 2005”, - thuhet në deklaratë. Kryeministria i vlerëson njoftimin e kryetarit të Partisë Socialiste si “një akt flagrant anti-shtetëror” dhe si “një fshesë ndaj administratës”, e cila do të shkatërrojë lirinë e tregut të punës, duke e vendosur nën kontrollin e partisë dhe listave të saj.
Por zoti Rama u përgjigj se apeli i tij ishte bërë “si kryeministër i zgjedhur, e jo si kryetar partie”. Në mesazhin e vet, ai thotë se “kjo nismë synon krijimin e një baze të dhënash për burimet njerëzore të Shqipërisë...”. Sipas tij, të gjithë ata që po aplikojnë do të njoftohen individualisht për çdo konkurs të hapur në sferën që lidhet me profesionin dhe përvojën e tyre. Kjo shihet prej tij edhe si një mënyrë për të zhdukur “konkurset farsë, që janë zhvilluar tërë këto vite,... dhe rezultatet e parafabrikuara në dëm të lirisë së konkurencës e të meritës”.
Përfaqësues të Partisë Socialiste po japin konferenca këto ditë nga një mjedis që quhet “Zyra e kryeministrit të zgjedhur”, për të shpjeguar hapat që po hidhen gradualisht deri në marrjen nën administrim prej shumicës së re të detyrave shtetërore e qeverisëse. Disa prej tyre, krahas shpjegimit të projekteve për qeverisjen e re, po kritikojnë edhe hapat që po hedh qeveria Berisha në javët e fundit në detyrë. Partia Socialiste ka kërkuar që deri në shtator kabineti në detyrë të mos marrë vendime me peshë të madhe mbi ekonominë, si koncensionet mbi hidrocentralet, marrja e borxheve të reja apo ndryshimet në strukturat dhe nivelet e pagave, për të mos rënduar më tej listën e detyrave menaxheriale të qeverisë së re.
Sipas Kushtetutës, parlamenti i ri mblidhet në shtator, zgjedh kryeministrin, i cili merr emërimin nga presidenti për të ndërtuar kabinetin e ri qeveritar. Kështu që deri sa të vijë vjeshta, skena politike pritet të përshkohet edhe më tej nga temperaturat e larta të debateve mbi kalimin gjakftohtë të pushtetit nga një shumicë tek tjetra, mbi zyrtarizimin e mandateve të deputetëve, për emrat e ministrave, për emrin e kryetarit të ri të PD-së së rikthyer në opozitë.
XS
SM
MD
LG