Lidhje

Dorëhiqet Drejtori i Policisë Artan Didi


Vendimi pas ndalimit mbrëmë të shefit të zyrës së Interpol Tiranës dhe një punonjëseje tjetër të cilët dyshohet se kanë mbajtur të fshehur një kërkesë arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet belge ndaj deputetit Mark Frroku

Në Shqipëri, drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shtetit Artan Didi dha sot dorëheqjen pas ndalimit një natë më parë të shefit të zyrës së Interpol Tirana Artan Bajraktari dhe një tjetër punonjëse të këtij sektori Loreta Alla të cilët dyshohet se mbajtën të fshehur kërkesën për arrest ndërkombëtar ndaj deputetit Mark Frroku. Ky i fundit dyshohet për një “vrasje me paramendim”, të ndodhur në Belgjikë në vitin 1999, ndaj një shtetasi shqiptar.

Dorëhiqet Drejtori i Policisë Artan Didi
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:33 0:00

​Sipas autoriteve belge vrasja ka ndodhur gjatë një përplasjeje të grupeve që kontrollonin rrjete të prostitucionit në Bruksel. Gjykata e shkallës së parë për krimet e rënda në Bruksel e ka dënuar me 10 vite burg zotin Frroku, dhe tre shqiptarë të tjerë, ndërsa procesi gjyqësor është tani në Gjykatën e Apelit të kryeqytetit belg, pas ankesës së bërë nga të dënuarit. Kërkesa nga Belgjika ndaj Frrokut ka mbërritur në zyrat e Interpolit që në muajin janar, dhe zyrtarët e këtij sektori dyshohet se nuk kanë njoftuar autoritetet për këtë.

“Shkelja e procedurave ligjore të specialistit të Interpolit dhe shefit të këtij sektori, shkelje që i vuri ata përpara përgjegjësisë penale, cënoi në një farë mase imazhin e Drejtorisë së Përgjithshme të policisë, ndonëse ishte po ky institucion që e korrigjoi gabimin”, shkruan në deklaratën e dorëheqjes, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Artan Didi duke shtuar se “për këtë arsye, duke vlerësuar si të papranueshëm për prestigjin e institucionit të Policisë së Shtetit, të cilin unë drejtoj, duke vlerësuar se nuk pata kapacitetin e mjaftueshëm për të parandaluar një fakt të tillë, vendosa të jap dorëheqjen e parevokueshme nga funksioni i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”.

Për situatën e krijuar doli në një deklaratë të gjatë edhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Duke i mëshuar fort faktit se sipas tij në këto 18 muaj të qeverisjes së majtë janë realizuar shumë reforma në polici, ai tha se “pavarësisht këtyre, ndodhemi konkretisht përpara një shkeljeje serioze, të cilën sidoqoftë e ka zbuluar, hetuar dhe proceduar po Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit. Përgjegjësinë penale të tyre, pritet ta nxjerrin hetimet e shërbimit tonë të brendshëm dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Por unë dua të theksoj fort këtu, përgjegjësinë morale që Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi, ka marrë sot duke u dorëhequr për të dhënë mesazhin e qartë e të fortë të dinjitetit të Policisë që po rilindim”.

Partia demokratike reagoi sot duke u shprehur se kërkesa e autoriteteve belge është mbajtur qëllimisht e fshehur, për t’i bërë shantazh sipas tij, deputetit Frroku, për cështjen Doshi, deklaroi deputeti Edmond Spaho: “Gjithkush e di, çdo qytetar i vendit e di mirë, se për kërkesën e Interpol Brukselit, ka pasur dijeni Ministri i Brendshëm, ka pasur dijeni Kryeministri. Atyre madje u ka leverdisur kjo kërkesë dhe e kanë shfrytëzuar për të kapur dëshmitarin kyç Mark Frroku, për ta përdorur sipas interesit të tyre në procesin hetimor ndaj Ilir Metës, i akuzuar për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Fshehja e kërkesës së Interpol Brukselit, nuk mund të bëhej pa urdhërin e Saimir Tahirit dhe Edi Ramës. Ata janë përgjegjësit e vërtetë, autorët e vërtetë të këtij akti të rëndë në kundërshtim me ligjin”.

Ngjarja për të cilën akuzohet deputeti Frroku u përmend për herë të parë publikisht pas zgjedhjeve të qershorit të 2013, në një shkrim të një gazete belge. Në atë kohë zoti Frroku mohoi të ishte përfshirë në vrasje, sikundër bëri edhe tani, pasi prokuroria kërkoi në fundjavë, për herë të dytë, autorizimin e parlamentit për arrestimin e tij. “Mark Frroku nuk ka vrarë njeri. Nuk kam organizuar vrasjen e askujt e nuk kam bashkëpunuar më askënd për të vrarë njeri. Autoritetet blege të më provojnë vetëm një fakt të vogël, se unë në atë kohë kam qenë në Belgjikë, dhe unë do të shkoj atje kurdo të më thërrasin”, deklaroi ai gjatë seancës së Këshillit të Rregullore dhe Mandateve, i cili në fund u shpreh në favor të kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e tij.

Ashtu sic dhe ishte paraqitur pranë zyrave të parlamentit, deputeti Frroku u largua i shoqëruar po nga policia, duke qenë se ndodhet në arrest shtëpie. Më parë, javën e shkuar ai u ndalua, pak orë pasi parlamenti miratoi kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e tij dhe të deputetit Tom Doshi, lidhur me hetimet ndaj deklarimeve të këtij të fundit për ekzistencën e një plani për vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat Mhill Fufi. Plan, pas të cilit sipas zoti Doshi qëndronte kryetari i parlamentit Ilir Meta, por që sipas hetimeve të Prokurorisë, rezulton të ketë qenë i sajuar prej tij.

XS
SM
MD
LG