Lidhje

Ndryshojnë të gjithë drejtuesit e policisë


Jep dorëheqjen drejtori i Përgjithshëm Hysni Burgaj. Një operacion i policisë çon në gjetjen e mbi 1000 objektesh kulti të vjedhura

Në Shqipëri drejtori i Përgjithshëm i policisë Hysni Burgaj dha sot dorëheqjen, ndërsa firmosi më parë lëvizje të shumta në të gjitha strukturat më të larta dhe emërimin e drejtuesve të rinj në të gjitha qarqet. Qeveria pritet të emërojë sot në mbrëmje drejtuesin e ri të policisë. Detyra pritet t’i besohet Artan Didit, i cili rikthehet pas 8 vitesh shkëputje. Po sot policia njoftoi rezultatet e një operacioni të rëndësishëm që coi në gjetjen e mbi 1000 veprash antike dhe objektesh kulti të grabitura nga kisha dhe manastire në Shqipëri dhe Maqedoni.


Lëvizje radikale në nivelet më të larta të policisë shqiptare u njoftuan sot së bashku me dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm Hysni Burgaj. Me firmën e tij, sipas burimeve nga ministria e Brendshme, u bënë një seri levizjesh dhe emërimesh të reja, përfshirë dy zëvendësdrejtorët e rinj të përgjithshëm, dhe të gjithë drejtuesit në nivel qarku dhe strukturat e tjera të larta të policisë. Në mbrëmje pritet që qeveria të pranojë dorëheqjen e zotit Burgaj dhe të emërojë pasuesin e tij. Pritet që në postin më të lartë drejtues të emërohet Artan Didi, një emër i njohur dhe drejtues i niveleve të larta deri në mesin e vitit 2005, kur ishte shkarkuar po nga një ministër socialist i asaj kohe.

Për lëvizjet dhe emërimet e fundit, jo vetëm në polici shprehu sot sërish shqetësim kryetari i partisë demokratike Lulzim Basha sipas së cilit qeveria po ndjek politikat e zhbërjes së gjithshkaje realizuar më parë “kjo parë edhe në kuadrin e mungesës së transparencës së emërimeve, shkarkimeve abuzive, emërimeve antiligjore të bëra apo të pritshme në ditën e sotme në organizata të rëndësishme të shtetit siç është Policia e Shtetit, bëhet pra një shqetësim shumë i madh”.

Por policia u vu sot në qendër të vëmendjes edhe për shkak të një operacioni shumë të rëndësishëm i cili coi në zbulimin e mbi 1 mijë veprash arti të vjetra të vjedhura në kishat e manastiret e Shqipërisë, ndërsa një pjesë edhe në Maqedoni. Janë 229 ikona të përmasave të ndryshme, 4 piktura murale, 522 piktura bronxi të periudhës së mesjetës dhe 322 objekte të tjera po të kësaj periudhe. Dy persona me precedent penal janë arrestuar, ndërsa tre të tjerë janë shoqëruar sot pasdite nga policia.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro shkuan vet për të parë veprat e shpëtuara. Duke ju rikthyer disa herë falenderimeve për policinë për operacionin të cilin e cilësoi si një akt madhështor, zoti Rama tha se kjo dëshmon nga ana tjetër rrezikun i cili i kanoset trashëgimisë kulturore: “Ne jemi shumë të vegjël dhe shumë të varfër krahasuar me shumë të tjerë, por nëse ne humbasim edhe këtë pasuri, nëse ne lejojmë që edhe ky thesar i madh të shkojë duke u tretur dhe në fund të shuhet fare, ne do të jemi jo vetëm të vegjël dhe të varfër, por ne do të jemi askushi në mes të Evropës”.

Kryeministri premtoi se ky operacion është nisja e një beteje për të mbrojtur trashëgiminë ndërsa kërkoi angazhimin e qytetarëve për të denoncuar cdo rast apo dyshim për cënim të veprave dhe objekteve historike të vendit.
XS
SM
MD
LG