Lidhje

Drejtuesit e furgonave, përplasje me policinë


Protestë në Tiranë para qeverisë. Kërkohet tërheqja nga vendimi i cili nuk i lejon të kryejnë shërbimin e transportit interurban. Ministri Haxhinasto: Të punojnë brenda qarqeve të tyre

Në Shqipëri drejtuesit e furgonave që veprojnë në linjat ndërqytetëse protestuan sot në Tiranë për të kërkuar që qeveria të tërhiqet nga vendimi i saj sipas të cilit ata mund të udhëtojnë me pasagjerë vetëm në një drejtim, nga një qytet në tjetrin dhe pastaj të kthehen bosh. Grumbullimi i tyre në Tiranë u shoqërua me tensione të forta e deri dhe me përplasje me policinë pasi ata bllokuan akset rrugore në hyrje të kryeqytetit. Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto tha se qeveria është e vendosur të rregullojë këtë shërbim dhe se drejtuesit e furgonave mund të punojnë ndërkohë brenda qarqeve të
tyre.




Protesta e drejtuesve të furgonave ishte paralajmëruar për në mesditë. Por mbërritja e tyre që më parë në Tiranë, u shoqërua me tensione me policinë. Drejtuesit e furgonave kërkonin t’i linin mjetet e tyre në vendndalimet e përhershme, por policia u kërkoi që ato të parkoheshin në periferi të qytetit. Kjo situatë u bë shkas për përplasje me forcat e rendit, pasi drejtuesit e furgonave bllokuan akset rrugore hyrëse të qytetit. Disa prej tyre thanë se ishin goditur dhe me shkopa gome.

Situata e tensionuar vazhdoi gjatë dhe vetëm pas mesditës ajo u zhbllokua. Protestuesit u grumbulluan të gjithë përpara godinës së qeverisë e cila ka vendosur të mos lejojë që ata të veprojnë si linja interurbane, por vetëm sipas licencës si taksi, gjë e cila i detyron ata që pasi të transportojnë pasagjerët nga një qytet në tjetrin, të kthehen bosh. Por një gjë e tillë sipas tyre do të ishte një falimentim i aktivitetit që ata kryejnë e që për ta përfaqëson mënyrën kryesore të jetesë.

Duke folur përpara selisë së Qeverisë kryetari i sindikatave të pavarura Gëzim Kalaja kërkoi që qeveria të ulej në bisedime me ta: “Duhet patjetër të nëshkruhet një marëveshje, e cila do ishte e vetmja zgjidhje për të hapuur rrugën paqes sociale, por ka një cinizëm dhe arrogancë me të cilën i përgjigjeni kërkesave tona. Zoti kryeministër, këta kërkojnë bukën dhe ju e keni për detyrë kushtetuese që cdo qytetari t’i jepni mundësi për punësim që të krijojnë të ardhurat materiale për të mbajtur familjet e tyre”.

Ndërsa përpara selisë së qeverisë protesta vazhdonte ende, ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto në një konferencë për shtyp deklaroi se drejtuesit e furgonave nuk mund të vazhdojnë të kenë licencë për taksi e të veprojnë edhe si linja ndërurbane. Kjo gjë tha ai penalizon disa mijëra autobusë të licencuar për këtë aktivitet. Qeveria, shpjegoi ministri, ka ofruar një zgjidhje “ata të ofrojnë shërbimin e transportit brënda qarkut. Kjo rrugëzgjidhje u është paraqitur disa herë shoqatave të taksive dhe sindikatës së tyre. Kjo mundësi i lejon pronarët dhe shoferëve të taksive 8+1 që të vazhdojnë të punojnë deri në stabilizimin dhe rregullimin përfundimtar të shërbimit të transportit publik në vend”.

Drejtuesit e furgonave qëndruan deri pasdite vonë përpara kryeministrisë dhe paralajmëruan një tjetër manifestim. Në krah të tyre sot ishin edhe përfaqësuesë të opozitës, ndërsa kryetari demokrat Lulzim Basha në një postim në facebook fajësoi qeverinë se po rrezikon bukën e gojës për mijëra qytetarë. “Një qeveri që shpall kundërshtarë qytetarët e saj, që mendon vetëm si t'ju shkatërrojë punën, pasurinë dhe të ardhmen nuk mundet dhe nuk duhet lënë të finalizojë marrëzinë e saj”, mbyllet mesazhi i zotit Basha.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG