Lidhje

Arrestohen dy burra për dhunë në familje


Policia në Tiranë njoftoi së fundi se arrestoi në kushtet e flagrancës dy burra të tjerë, që ushtronin dhunë në familje, pas njoftimeve të marra nga bashkëshortet e tyre, për të cilat gjykata kishte nxjerrë urdhëra mbrojtje.

Reagimi i forcave të rendit ndaj njoftimeve të tilla ka qenë më i shpejtë dhe më i rreptë këto ditë, pak pasi ndodhi një tjetër vrasje në familje. Të hënën një burrë vrau gruan dhe më pas veten. Pas kësaj, java shkoi me denoncime të shtuara grave dhe arrestime nga policia të atyre që shkelën urdhërat gjyqësore të mbrojtjes për bashkëshortet.


Studiues të shoqërisë shqiptare mendojnë se
duke e quajtur dhunën në familje si një vepër penale, ligji i ri i vitit të fundit që mbron nënat nga dhuna e burrave ka shtuar guximin e grave për të denoncuar dhunën, por kjo nuk po ndikon në përmirësimin e gjendjes. Qendrën për Nisma Ligjore, studiuesja e njohur Aurela Anastasi thotë se dhuna në familje është një dukuri komplekse, e cila kërkon një seri masash në shumë fusha, por së pari ajo duhet trajtuar si një cështje ligjore dhe duhen zbatuar ligjet. Sipas saj, gruaja e viktimizuar nga dhuna ka nevojë për një mbrojtje më të mirë nga avokati dhe nga policia gjatë gjthë procesit gjyqësor, ndërkohë që edhe urdhërat e mbrojtjes duhen zbatuar me saktësi.

Zonja Anastasi thekson se ligji i ri ka nene të posaçme sipas të cilave policia mund të ngrejë padi publike ndaj dhunuesit, për të cuar deri në fund gjykimin e autorit, edhe nëse gruaja tërheq denoncimin apo shpreson të pajtohet, gjyqtari duhet të japë një vendim për ngjarjen e ndodhur, pa qenë e nevojshme që gruaja të ndjekë vetë të gjitha hapat gjyqësorë.

Studimet kanë nxjerrë se deri 70 për qind e këtyre proceseve gjyqësore pushohen nga
gjykata për shkak se viktimat ose pajtohen me bashkëshortët ose tërheqin denoncimet, nuk paraqiten në seancë. Sipas këtyre vëzhgimeve, shumica e grave tërheqin denoncimet ndaj bashkëshortëve të dhunshëm sepse ndihen të pambrojtura, kërcënohen dhe stigmatizohen.
Studiuesit pohojnë se ligji parashikon që gjykata t'i sigurojë avokat mbrojtës falas gruas që denoncon dhunën në familje; kështu që kjo masë mbrojtëse shtesë nga drejtësia përforcon mbrojtjen që viktimës duhet t'i japë policia, dhe jo t'i lënë vetëm këto nëna vetëm nëpër korridoret e gjykatave. Studiuesja Aranita Brahaj, drejtuese e Institutit shqiptar të Shkencave pohon se një akt dhune në familje duhet ndëshkuar penalisht njëlloj si një akt dhune mes të panjohurve. “Gruaja dhunohet, plagoset me thika dhe armë zjarri nga burri dhe gjykata merr vendim që ai të mos i afrohet asaj më për një kohë. Kjo është të mbrosh dhunuesin dhe jo viktimën. Për këto akte dhune duhen dënime penale nga prokuroria dhe gjykata” - thotë ajo.

Vëzhgimet tregojnë se 30-40 për qind e urdhërave të mbrojtjes nuk zbatohen si duhet nga policia pa përvojë në këtë fushë, ose nuk japin sigurinë e kërkuar, sepse janë praktika të reja. Policia thotë se shumë bashkëshortë shkelin urdhërat e mbrojtjes të vendosur nga gjykata, sepse jetojnë në të njëjtën banesë. Konfuzioni shtohet kur shumë nga denoncimet tërhiqen nga vetë viktimat, dhe nuk kuptohet më nëse kallëzuesja gjeti vërtet pajtimin, apo rihapi sërish me duart e veta rrugën e dhunës në familje.
XS
SM
MD
LG