Lidhje

Policia e Kosovës: Kemi parandaluar sulme terroriste


Në Kosovë policia tha se ka arrestuar 19 persona gjatë dy javëve të fundit për lidhje me grupin militant Shteti Islamik dhe nën dyshimet se kishin planifikuar sulme në Kosovë dhe në Shqipëri, përfshirë edhe sulmet gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izarelit. Policia tha se ishin planifikuar sulme të të njëkohshme dhe të bashkërenduara, të organizuara nga pjesëtarë të grupit militant Shteti Islamik që ndodhen në Siri.

Policia e Kosovës tha se në një varg operacionesh që nga 4 nëntori, janë arrestuar 19 persona nën dyshimet për lidhje me grupin militant Shteti Islamik dhe planifikim sulmesh në Kosovë dhe në rajon.

Ndonëse nuk janë dhënë hollësi se cilat ishin planet për sulme në Kosovë, policia tha se arrestimet parandaluan sulmet terroriste në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, që duhej të zhvillohej në Shkodër e më pas u zhvendos në qytetin e Elbasanit.

Sipas autoriteteve "persona të caktuar ishin në kontakt me të dyshuarin L. M. (Lavdrim Muahxhiri), nga i cili merrnin udhëzime në përgatitjen dhe kryerjen e sulmeve terroriste në rajonin e Ballkanit". Policia tha se personat e dyshuar kanë qenë "të ndarë në grupe të ndryshme dhe të bashkërenduar nga Lavdrim Muhaxhiri dhe Ridvan Haqifin, që ndodhen në Siri përkrah grupit militant Shteti Islamik.

Tetëmbëdhjetë nga të arrestuarit janë shtetas të Kosovës dhe një është shtetas i Maqedonisë. Policia tha se gjatë operacioneve policore në cilësinë e provave materiale janë konfiskuar një sasi armësh e municionesh dhe mjete tjera si dhe materiale dhe literaturë fetare nga autorë të njohur për ideologjinë e tyre ekstremiste.

Gjatë operacioneve të bashkërenduara autoritetet në Shqipëri më 4 nëntor arrestuan katër persona nën dyshimet se po përgatiteshin për një sulm terrorist gjatë ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Nga Shqipëria mendohet se janë mbi 100 persona që kanë luftuar përkrah ISIS-it. Gjatë këtij viti 9 anëtarët e një celule që rekrutonte persona për t'i dërguar në Siri u dënuan me 152 vjet heqje lirie.

Kosova është përballur që nga viti 2012 me përfshirjen e qytetarëve të saj në konfliktet në Lindjen e Mesme.

Sipas autoriteteve rreth 316 veta besohet se kanë marrë pjesë në ato konflikte, ndërsa atje ende ndodhen 140, nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë.

Dy vjet më parë policia filloi hetimet kundër 237 vetave për pjesëmarrje në luftë, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve të huaj dhe mbi 127 veta janë arrestuar. Sipas autoriteteve, 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe deri tash 35 veta janë dënuar nga gjykatat.

Në pranverën e vitit të kaluar parlamenti i Kosovës miratoi një ligj për parandalimin e përfshirjes në luftërat e huaja, i cili parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës.

Gjatë vitit 2016 autoritetet thanë se është shënuar rënie e numrit të qytetarëve të Kosovës të përfshirë në ato luftëra, por fillimi i vjeshtës shënoi raste të reja të shkuarjes apo përpjekjeve për të shkuar në ato zona.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG