Lidhje

Policia e Kosovës merr përsipër ruajtjen e Manastirit të Graçanicës


Policia e Kosovës merr përsipër ruajtjen e Manastirit të Graçanicës
Policia e Kosovës merr përsipër ruajtjen e Manastirit të Graçanicës

Policia e Kosovës mori sot përsipër përgjegjësitë për ruajtjen e Manastirit mesjetar të Graçanicës, rreth pesë kilometra në dalje të Prishtinës. Deri tani manastiri ruhej nga forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Në një njoftim të policisë së Kosovës thuhet se kalimi i përgjegjësive është një hap i madh në procesin e forcimit të përgjegjësive të institucioneve të sigurisë së Kosovës, “sepse policia do të ruajë një nga vendet më të vlefshme kulturore dhe fetare në Kosovë”.

Ky veprim pasqyron situatën e përmirësuar në Kosovë dhe besueshmërinë që ka KFOR-i në aftësitë e Policisë së Kosovës për të kryer këtë detyrë të rëndësishme, thuhet në njoftimin e policisë ku nënvizohet se KFOR-i mbetet i përkushtuar për të përkrahur policinë e Kosovës në garantimin e sigurisë për këto objekte në përputhje me mandatin e vet për një mjedis të qetë dhe të sigurt edhe pas kalimit të përgjegjësive.

Forcat paqeruajtëse kanë paralajmëruar kalimin e përgjegjësive të ngjashme edhe për një numër kishash e manastiresh në Kosovë në varësi të gjendjes së sigurisë.

Kalimi i përgjegjësive tek policia e Kosovës, nuk është parë me sy të mirë nga udhëheqësit e kishës ortodokse serbe, por forcat paqeruajtëse i kanë siguruar ata se KFOR-i do të jetë në mbështetje të policisë së Kosovës e cila ka dhënë prova të aftësisë së saj për ruajtjen e objekteve kulturore e fetare.

XS
SM
MD
LG