Lidhje

Kosovë, policia në aksion për kontrollin e pikëkalimeve me Serbinë


Kosovë, policia në aksion për kontrollin e pikëkalimeve me Serbinë
Kosovë, policia në aksion për kontrollin e pikëkalimeve me Serbinë

Në Kosovë, qeveria urdhëroi mbrëmë njësitë e posaçme të policisë për vendosjen e kontrollit në dy pikat kufitare me Serbinë, në veriun e banuar me shumcië serbe.

Njësitë e posaçme janë vendosur në venkalimin kufitar në fshatin Bërnjak, ndërsa grupe qytetarësh serbë e kanë bërë të pamundur vendosjen e saj në vendkalimin në Jarinje.

Policia tha se grupe qytetarësh serb kanë vendosur makineri të rëndë në rrugët që të çojnë në veri dhe situata është e tendosur.

Autoritetet në Prishtinë thanë se vendimi për vendosjen e njësive të posaçme të policisë ishte veprim në përpjekje për të zbatuar vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës ku nuk funksionojnë doganat e vendit.

Përfaqësues të serbëve në veri thanë se nuk do të lejojnë vendosjen e kontrollit nga policia e Kosovës dhe kanë shfaqur drojën se situata mund të përshkallëzohet.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës tha se po bëhen përpjekje që gjendja të mbahet nën kontroll, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të përmbahen.

Sipas ministrit të brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi, “EULEX nuk ka pasur gatishmëri që të mbështesë këtë aksion”. Ndërkohë EULEX ka theksuar rëndësinë e zgjidhjes së situatës aktuale përmes një rruge të qetë dhe paqësore. EULEX thekson se nuk është e përfshirë në asnjë lloj mënyre me operacionin e zhvilluar nga grupet speciale të policisë së Kosovës.

Deklerata nga EULEX thekson se ky mision dhe Bashkimi Evropian e kanë bërë të qartë se çështja e doganave duhet të zgjidhet përmes dialogut aktual ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Veprimet e njëanëshme nga secila pale nuk ndihmojnë në këtë çështje. Mosmarrëveshjet, thekson deklerata, duhet të zgjidhen përmes rrugëve paqësore.

Në veri ndërkohë janë parë përforcime të KFOR-it, ndërsa komandanti i paqeruajtësve të NATO-s, gjenerali gjerman Erhard Buhler, u ka bërë thirrje siç thuhet të gjithë qytetarëve të Kosovës që të mos reagojnë me dhunë ndaj situatës aktuale në veri.

Ai ka theksuar se KFOR-i nuk pranon kurrfarë dhune dhe se në një shoqëri demokratike mendimet e ndryshme apo qëndrimet kundërthënëse duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore. Në një komunikatë të zyrës së gjeneralit Buhler thuhet se KFOR është i informuar mbi situatën në veri dhe ka angazhuar njësi që do të mund të ndërhyjnë në rast nevoje.

Gjenerali Buhler ka diskutuar zgjidhjen e situatës edhe me përfaqsuesit serb, përfshirë edhe shefin e delegacinit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç.

Pak para fillimit të aksionit të policisë në orën 22 sipas kohës lokale, qeveria e Kosovës bëri të ditur se kryeministri Hashim Thaçi ka shkarkuar drejtorin e përgjithshëm të policisë Reshat Maliqi. Nuk janë dhënë hollësi mbi këtë vendim, ndërsa edhe vet zoti Maliqi, tha se nuk ka njohuri për shkaqet që mund të kenë nxitur një vendim të tillë.

Situata e tendosur ka mbretëruar gjatë tërë natës në veri, ndërsa forca të mëdha janë vendosur edhe në urën qendrore në lumin Ibër që shënon edhe vijën ndarëse të qytetit të Mitrovicës, ndërmjet veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare.

XS
SM
MD
LG