Lidhje

Policia e Los Anxhelosit bashkëpunon me komunitetin mysliman

  • Elizabet Li

Sherif Morsi is a Muslim and a deputy sheriff in Los Angeles

Sherif Morsi is a Muslim and a deputy sheriff in Los Angeles

Në një kohë kur disa amerikanë i tremben radikalizimit të myslimanëve në Shtetet e Bashkuara dhe ekziston një rritje e ndjenjave anti-myslimane, zëvendës komandanti i Departamentit të policisë në Los Anxhelos thotë se ai ka gjetur zgjidhjen për luftimin e terrorizmit brenda vendit dhe vendosjen e paqes mes myslimanëve dhe jo-myslimanëve.

Në një qytet me një prej popullatave më të mëdha myslimane në Shtetet e Bashkuara, rrallë herë mund të hasësh në një mysliman me uniformën policore. Por Sherif Morsi është mysliman dhe zëvendës shefi i policisë në Los Anxhelos.

“Nga ana e traditës, fëmijët e vegjël pyeten nga prindërit e tyre nëse duan të bëhen mjek, inxhinier, jurist, apo biznesmen. Forcat e rendit nuk janë në listën e tyre për arsye të ndryshme”.

Jihad Turk i Qendrës Islamike në Kaliforninë Jugore thotë se imigrantët myslimanë në Shtetet e Bashkuara shpesh kanë përceptime negative për forcat e rendit.

“Shumë nga myslimanët në Shtetet e Bashkuara vijnë nga vende që në shumicën e rasteve drejtohen nga diktatorë, ku policia është pjesë e regjimit shtypës”.

Zëvendës shefi Morsi ka punuar për afro katër vjet për të ndryshuar këtë bindje përmes Njësisë për Çështjet e Komunitetit Mysliman në Departamentin e Policisë në Los Anxhelos. Kjo është njësia e parë e këtij lloji në vend e cila synon krijimin e besimit përmes informimit dhe marrëdhënieve të drejtpërdrejta.

“Në qendra të caktuara myslimane, kur shkojmë për herë të parë të veshur me uniforma, njerëzit na shmangen me çdo kusht. Ata më shikojnë nga larg, përpiqen të mos më shikojnë në sy. Ata e dinë që jam mysliman. Por, unë jam me uniformë policie. Nga përvoja e tyre, për ta uniforma përfaqëson pushtetin, është shenjë e mosbesimit dhe korrupsionit. Tani, kur shkoj në të njejtën qendër, ata më presin ngrohtë, më përqafime dhe ushqim. Kemi pasur sukses fenomenal”.

Zoti Morsi thotë se komuniteti mysliman ka dhënë informacione jo vetëm për krimet në lagjet e tyre por edhe për ekstremistë të mundshëm. Shefi i Policisë së Los Anxhelosit, Sherifi Leroy Baca themeloi Njësinë për Çështjet e Komunitetit Mysliman. Ai thotë se ideja e besimit në rolin e policisë funksionon në të gjitha nivelet e forcave të rendit.

“Në 10 sulmet e fundit që janë zgjidhur nga FBI, shtatë prej tyre kanë qenë rezultat i qarkullimit të informacionit nga myslimanët që ka çuar në zbardhjen e komploteve të caktuara”.

Zëvendësi shefi Morsi thotë se ekziston një faktor i madh i radikalizimit.

“Mendoj se faktori më i madh i radikalizimit është armiqësimi, ndjenja e izolimit dhe veçimit, ndjenja se gjithmonë shikohesh si i dyshuar. Këto fakte luajnë rol të madh në mendjen e radikalëve”.

Jihad Turk thotë se ndjenja anti-myslimane në Shtetet e Bashkuara kontribuon në krijimin e ekstremizmit.

“Nëse komuniteti mysliman e shikon si i vënë në shenjestër, atëherë rinia e atij komuniteti përjashtohet nga pjesa tjetër e shoqërisë dhe mund t’i kthehet dhunës ekstreme si mënyrë për ta luftuar izolimin”.

Zoti Turk thotë se komuniteti mysliman duhet ta integrojë veten në shoqëri dhe publiku duhet ta kuptojë se ekstremistët në Shtetet e Bashkuara nuk i përkasin vetëm komunitetit mysliman.

Për të luftuar radikalizimin dhe ndjenjat anti-myslimane, agjencitë e forcave të rendit në të gjithë vendin po përdorin video trajnimet e Njësisë për Çështjet e Komunitetit Mysliman. Shpresohet se duke kuptuar më mirë kulturëns myslimane, do të krijohet respekt dhe besim mes dy palëve, në mënyrë që policia dhe myslimanët të bëhen partnerë në luftimin kundër krimit.

XS
SM
MD
LG