Lidhje

Satira politike, pjesë e debatit publik në SHBA


Satira politike ka një histori mbi 2000 vjeçare. Fillimet e saj i gjejmë në Greqinë e lashtë, por ajo mori popullaritet në vitet 1700 në kolonitë britanike që tani përbëjnë Shtetet e Bashkuara kur filluan të shfaqen karikaturat e veprimtarëve që kërkonin pavarësi nga Britania. Satira politike mund të rezultojë në burgosjen ose dënimin me vdekje të autorëve në disa vende, por në Shtetet e Bashkuara është e mbrojtur nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës që garanton lirinë e fjalës. Vitet e fundit satira është përhapur shumë në emisionet variete të mbrëmjes, ku hidhen thumba në adresë të politikanëve, përfshirë edhe prsidentët:

Politikanët janë në shenjestër të emisioneve variete çdo mbrëmje në televizionin amerikan. Në një edicion të emisionit “The Tonight Show”, prezantuesi Jimmy Fallon imiton Donald Trumpin.

“Donald Trumpi ishte në shenjestër të skeçeve gjatë fushatës presidenciale më tepër se kushto tjetër në çdo fushatë presidenciale,” thotë profesori i Universitetit George Mason, Robert Lichter.

Robert Lichter është bashkautor i një libri mbi emisionet argëtuese të mbrëmjes të titulluar Politika është për të Qeshur: Humoristët po Transformojnë Jetën Politike”.

Profesori Lichter mendon se disa prezantues të emisioneve argëtuese kanë qenë të pamëshirshëm me disa presidentë, por janë treguar më të rezervuar ndaj Barak Obamës:

Robert Lichter, Universiteti George Mason:

“Ai ishte presidenti i parë afrikano-amerikan. Humoristët ishin të vetëdijshëm se mund të shiheshin si racistë, nëse sulmonin Barak Obamën”.

Humoristi Jimmy Fallon: “Presidenti Obama tha se Kongresi duhet të rrisë tavanin e borxhit, pasi nuk jemi ‘magjistarë që nxjerrim lepurin nga kapelja’. Në fakt ata janë lodhur nga truket e fundit të magjisë, kur zhdukën mijëra vende pune”.

Satira politike filloi të bëhej më e pranishme në televizion në vitet 1960. Por në 1975 me fillimin e emisionit humoristik të të shtunave, Saturday Night Live, u revolucionarizua imitimi i politikanëve në ekran. Aktori Chevy Chase në atë kohë thumbonte Presidentin Gerald Ford për mungesë elokuence.

“Emisioni humoristik i së shtunës solli parodinë presidenciale në satirën politike,” thotë profesori Lichter.

Jay Leno, prezantues i emisionit The Tonight Show për 17 vjet nga 1992-2009 e zgjeroi popullaritetin e satirës politike në emisionet e mbrëmjes. Edhe emisione të tjera filluan të ndjekin të njëjtin format.

Jay Leno: “Presidenti Obama nuk po përdor më termin ‘Obamacare’ në fjalimet e tij. Tani ai e quan ‘Ligji për Kujdes Shëndetësor me Kosto të Përballueshme’. Nuk është shenjë e mirë kur edhe vetë Obama përpiqet të distancohet nga ‘Obamacare’.”

Në vitet 1990 emisionet variete të mbrëmjes jo vetëm që shërbenin për të argëtuar spektatorët, por edhe për t’i informuar mbi skandale, apo lajme rozë mbi politikanët. Në emisionin Saturday Night Live, humoristi Darrell Hammond imitonte Presidentin Bill Clinton pasi ai i mbijetoi procesit për ta hequr nga detyra:

Robert Lichter, Universiteti George Mason, thotë:

“Në vitet 1990, humoristët filluan të përqëndrohen tek skandalet, elementët e jetës private, jetës seksuale, veseve si alkoolizmi që deri atëherë kishin qenë tabu në televizion”.

Politikanët nga ana e tyre e kutpuan se në rastet kur përfshiheshin edhe vetë në skeçe, arrinin më mirë të përçonin mesazhin e tyre. Hillary Clinton në një rast luan rolin e një banakiereje:

“Unë jam një qytetare e thjeshtë që beson se projekti i tubacionit të naftës do të shkatërrojë mjedisin,” i përgjigjet zonja Clinton, përsëri në rolin e qytetares së thjeshtë, si banakiere.

Politikanët e kuptuan shumë shpejt se duke dalë në skeçe, dukeshin si njerëz të thjeshtë që dinin ta vinin veten në lojë,” thotë profesori Lichter.

Zoti Trump ishte dy herë në emisionin Saturday Night Live. Por gjatë javëve të fundit ai e ka kritikuar këtë emision me komente në Twitter se aktori “Alec Baldwin nuk ka si të jetë më i dobët kur më imiton mua”. Ai është shprehur se “Emisioni është pa humor, pa vlerë argëtuese dhe plotësisht i njëanshëm”.

Për mirë a për keq, satira politike është pjesë e debatit publik. Profesori Lichter mendon se në këtë klimë negative politike është mirë që njerëzit të gjejnë edhe humorin tek politika.

XS
SM
MD
LG