Lidhje

Politika amerikane pas dorëheqjes së Mubarakut

  • Karolin Presuti

Politika amerikane pas dorëheqjes së Mubarakut

Politika amerikane pas dorëheqjes së Mubarakut

Dorëheqja e presidentit Hosni Mubarak të premten nxiti festimet kudo në Kajro dhe në gjithë Egjiptin. Administrata e presidentit Obama u gjet e papërgatitur dhe mezi arriti të formulonte një përgjigje. Por pas dyerve të mbyllura, zyrtarët rishikonin politikën e tyre drejt një Egjipti të ri.

Vetëm 24 orë pasi tha se nuk do të largohej, presidenti egjiptian Hosni Mubarak dha dorëheqjen. Kjo nxiti festimet në Sheshin Tahrir, por edhe në Uashington.

"Më në fund dha dorëheqjen, jam shumë e lumtur.”

Lajmi bëri që Shtetet e Bashkuara të rishqyrtonin politikën e tyre të jashtme.

“Fjala Tahrir do të thotë liri. Është diçka që i flet shpirtit tonë dhe kërkon liri. Dhe gjithnjë e më tepër do të na kujtojë popullin egjiptian”, tha Presidenti Obama.

Ky ishte një mesazh i qartë nga presidenti, pasi politika amerikane kishte ndryshuar brenda dy javësh, herë duke mbështetur protestuesit e herë qeverinë, duke zemëruar analistët dhe ligjvënësit.

Tani, ekspertët thonë se administrata ka shumë punë përpara. Kaled Elgindi është në Institutin Brukings.

“Kanë shumë punë për të bërë dhe vendosur se si do ta trajtojnë rajonin tani, sepse loja ka ndryshuar. Atyre do t’u duhet të formulojnë, riorganizojnë përparësitë në Lindjen e Mesme tani për t’iu përshtatur këtij realiteti shumë të ndryshëm në terren.”

Një ndryshim i madh për Egjiptin do të ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Deri tani, askush nuk ka dalë si kandidat kryesor për president. Mes emrave të njohur janë laureati i çmimit Nobel Mohamed el-Baradei, sekretari i Lidhjes Arabe Amr Musa dhe një prej drejtuesve të kompanisë Google, Vael Gonim, i cili u ndaluan nga autoritetet për më shumë se një javë.

Zoti Elgindi thotë se Egjipti, si vendi më i madh arab dhe me më ndikim, do të jetë model për rajonin. Prandaj politika amerikane do të jetë shumë e rëndësishme.

Pas asaj që ndodhi në Egjipt, disa vende kanë filluar tashmë reformat si masë parandaluese dhe për të ruajtur qetësinë.

Megjithëse fati i traktatit të paqes Egjipt-Izrael ishte shqetësim për politikanët amerikanë, zoti Elgindi thotë se demonstruesit thjesht duan një jetë më të mirë.

“Ata duan të kenë të drejtën të zgjedhin të ardhmen e tyre. Ata duan atë që kërkojnë të rinjtë në çdo vend. Dhe nuk mendoj se kjo përfshin luftën. Prishja e traktatit të paqes do të nënkuptonte pikrisht luftën.”

Analistët thonë se aktivistët egjiptianë dhe suksesi i tyre mund ta ndryshojnë politikën amerikane.

“Pas këtyre kryengritjeve opinioni i njerëzve në rajon do të ketë rëndësi më të madhe strategjike për Amerikën. Deri tnai Shtetet e Bashkuara nuk i vlerësonin aq shumë mendimet e popujve sepse ata udhëhiqeshin nga qeveri që nuk i përfaqësonin dhe që nuk mbanin përgjegjësi para popujve të tyre”, thotë Stefen Makinerni i Projektit për Demokraci në Lindjen e Mesme.

Për 30 vjet me radhë, ndryshimi nuk ishte fjalë që kishte lidhje me politikën egjiptiane. Tani që ndryshmi është bërë kryefjala, analistët mezi presin të shohin se sa i thellë do të jetë ai, si dhe sa mbështetje do t’u japin Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG