Lidhje

Mesazhe kontradiktore për politikën e jashtme nga presidenti i zgjedhur Trump


Në një tubim “falenderimi” për përkrahësit e tij pranë bazës më të madhe ushtarake amerikane Fort Bragg, Preisdenti i zgjedhur Donald Trump prezantoi të emëruarin e tij për Sekretar Mbrojtjeje dhe bëri thirrje që t’i jepet fund “ciklit të ndërhyrjeve ushtarake dhe kaosit”. Disa komentues e interpretuan këtë shprehje si një thirrje për një qendrim “kundër ndërhyrjeve” në marrëdhëniet me jashtë. Por, politika e jashtme e zotit Trump, mbetet e një punë në proces, madje ndoshta edhe një seri kontradiktash.

Ndërsa vazhdonte turneun e fitores zgjedhore përreth vendit, presidenti i zgjedhur Trump iu rikthye njërës nga temat që e ka përmendur më shpesh në fushatë.

"Ne nuk do të vazhdojmë të përmbysim regjime të huaja, të cilat as nuk i njohim dhe me të cilat nuk duhet të merremi. Ne duhet të përqendrohemi tek mposhtja e terrorizmit dhe shkatërrrimi i ISIS-t dhe këtë do bëjmë”.

Mes brohoritjeve të simpatizantëve të tij, zoti Trump prezantoi të zgjedhurin e tij për postin e Sekretarit të Mbrojtjes, gjeneralin në pension, James Mattis dhe rikonfirmoi një premtim tjetër të fushatës, konsolidimin e ushtrisë “së dobësuar” të Amerikës, siç e quajti ai.

Por presidenti i zgjedhur, u ofroi gjithashtu një sinjal pajtimi anëtarëve të NATO-s, që ende janë të nervozuar nga mesazhet shqetësuese të zotit Trump gjatë fushatës për aleatët.

“Ne nuk harrojmë. Ne duam të forcojmë miqësitë e vjetra dhe të krijojmë të reja”, tha ai.

Premtimi i zotit Trump për t’I dhënë fund “ciklit shkatërrues të ndërhyrjeve dhe kaosit” u interpretua nga disa vëzhgues si një thirrje për një politikë të jashtme kundër ndërhyrjeve. Por eksperti i politikës së jashtme, Michael O’Hanlon thotë se ky është një thjeshtëzim I tepruar.

“Mendoj se çdo rajon është i ndryshëm. Zoti Trump ka thënë se do që të shkatërrojë ISIS-in. Nuk më duket një mesazh kundër ndërhyrjes ushtarake.”

Gjatë fushatës, zoti Trump vazhdimisht sulmoi rivalen e tij, Hillary Clinton, për mbështetjen e saj ndaj ndërhyrjeve ushtarake në Irak dhe Libi, politika që ai tha se ishin përgjegjëse për paqendrueshmërinë dhe terrorizmin në rajon.

Zoti Trump mbështet goditjet e kufizuara kundër ISIS-it, në vend të ndërhyrjeve të gjera ushtarake.

“Domethënë, mund të përdorë më shumë goditje specifike kundër objektivave të caktuara, me një prani të kufizuar amerikane në terren”.

Emërimi i gjeneralit në pension Mattis, një udhëheqës ushtarak me përvojë të gjatë pune me NATO-n, është një sinjal pozitiv për udhëheqësit e politikës së jashtme dhe aleatët.

“Për një muaj, pasi është zgjedhur, ai e ka moderuar tonin përçmues për shumë nga aleancat dhe ka qenë më i kujdesshëm në pothuajse çdo mesazh që ka përcjellë, veçanërisht me zgjedhjen e gjeneralit Mattis për të drejtuar Pentagonin”.

Por zoti Trump ka emëruar edhe kandidatë të tjerë me pikëpamje luftarake dhe ndërsa ceremonia e betimit të tij, është vetëm pas dy muajsh, ekspertët thonë se politika e tij e jashtme mbetet një punë e pambaruar.

XS
SM
MD
LG