Lidhje

Politika e jashtme ruse gjatë 2010-ës

  • Jim Brooke

Politika e jashtme ruse gjatë 2010-ës

Politika e jashtme ruse gjatë 2010-ës

Rusia e kaloi pjesën më të madhe të 2010-ës duke u përpjekur të rregullonte marrëdhëniet me Perëndimin. Ajo arriti të zgjidhte një mosmarrëveshje të rëndësishme kufitare me Norvegjinë, dhe normalizoi marrëdhëniet me Ukrainën pasi pushteti kaloi në duart e një udhëheqësi pro Kremlinit. Por ndryshimi më i madh i Rusisë ishte me dy kundërshtarë kryesorë – Poloninë dhe Shtetet e Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Brooke njofton nga Moska.

Zyrtarët e Kremlinit nuk buzëqeshin lehtë. Kryeministri sovjetik Nikita Krushov përplasi këpucën në Kombet e Bashkuara. Andrei Gromyko, ministri i Jashtëm sovjetik njihej në perëndim si njeriu me fytyrë të vrarë dhe që thoshte gjithmonë jo.

Por këtë pranverë, presidenti rus Dimitri Medvedev shfaqi një pamje të re, miqësore ndaj perëndimit. Ai i tha një gazetari evropian: "Dua ta shoh Rusinë të buzëqeshë dhe të marrë pamjen e një personi të ri dhe modern."

Çmimi i naftës u rrit përsëri në 90 dollarë për fuçi. Por investimet e huaja nuk u rikthyen më në Rusi pas pushtimit të Gjeorgjisë nga ky vend në vitin 2008. Grupi i aleatëve të Rusisë – Bjellorusia, Koreja e Veriut, Venezuela dhe Zimbabveja, - u quajtën si klubi i humbësve.


Kina dhe Rusia ndërruan vendet në ekonomi. Konstantin von Eggert, analist politik nga Moska, i dëgjon shpesh rusët të shqetësohen për rritjen e vazhdueshme të Kinës.
"Një faktor tjetër është rritja e fuqisë ekonomike, politike dhe ushtarake të Kinës që ndodhet në kufijtë e Rusisë. Kina e nxjerr Rusinë jashtë nga Azia Qendrore. Dhe kjo tregon gjithnjë e më tepër se Rusia është partnerja e saj më e re."

Udhëheqja e Rusisë rishqyrtoi me vëmendje përpjekjet e dështuara për të rivendosur statusin e superfuqisë. Duke i zbutur pak ambiciet, ata zgjodhën një parullë pak më pragmatike “modernizimin e aleancave”. Drejtori i Qendrës Carnegie në Moskë, Dmitri Trenin po shkruan një libër që i hedh një vështrim Rusisë post-perandorake.
"Udhëheqësit rusë ua kanë bërë të qartë punonjësve të tyre të ministrisë së jashtme se mbështetja e një imazhi të Rusisë apo një fasade si superfuqi nuk është e mjaftueshme. Prandaj, misioni i politikës së jashtme ruse është bashkëpunimi me vendet që mund të shërbejnë si burime të jashtme modernizimi për Rusinë."

Rusët ankohen se Kina e sheh Rusinë si një furnizues me materiale të dorës së parë. Ndërsa, Evropa e sheh Rusinë si një front për investime industriale. Por dy pengesa mund ta bllokojnë bashkëpunimin e plotë me Evropën – Shtetet e Bashkuara dhe Polonia.
Rifillimi i marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit po ndodh me të vërtetë.
Ai po u reziston sfidave që dikur zyrtarët rusë i quanin “provokime”.
Zbulimi i një rrjeti spiunësh rusë tre ditë pas vizitës së zotit Medvedev në Uashington verën e kaluar; ekstradimi nga Bangkoku në Nju Jork i kontrabandistit rus të armëve Victor Bout; dhe kundërshtimi pas-zgjedhor i republikanëve ndaj traktatit të ri START.

Duke i mbajtur sytë gjithnjë tek objektivi përfundimtar, Rusia e anuloi shitjen e raketave kundër ajrore që do të mbronin uzinat bërthamore të Iranit. Si shpërblim, Uashingtoni do ta ndihmojë Rusinë të anëtarësohet në Organizatën Botërore të Tregëtisë, çka do t’i sillte asaj më shumë investime të huaja. Uashingtoni mbron pjesën jugore të Rusisë përmes angazhimit në Afganistan dhe duke mos lejuar Islamizmin radikal të përhapet në Azinë Qendrore.
"Klasa politike ruse, udhëheqja ruse, është e tmerruar nga ajo që mund të ndodhë kur koalicioni ndërkombëtar i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara do të tërhiqet nga Afganistani. Rusia nuk i ka kufijtë e siguruar me Azinë Qendrore, dhe nëse Talebani përhapet në vende si Kirgistani, Taxhikistani apo Uzbekistani, kjo do t’i jepte një goditje shumë të rëndë Rusisë.”
Përmirësimi i marrëdhënieve me Uashingtonin u hap dyert investimeve amerikane për Rusinë. Pepsi po blen kompaninë më të madhe të bulmetit dhe lëngut të frutave në Rusi, blerja më e madhe ndonjëherë nga një kompani amerikane në Rusi.
Edhe Polonia e bllokoi qasjen e plotë të Rusisë në Bashkimin Evropian.

Një pengesë e madhe ishte masakra në pyllin Katin, ku policia sekrete e Stalinit vrau mijëra të burgosur polakë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me 7 prill, kryeministri Vladimir Putin i zgjati dorën Polonisë, duke u lutur së bashku me kryeministrin polak Donald Tusk në një përmendore në Katin.
Tre ditë më vonë ndodhi një tragjedi. Një aeroplan i qeverisë polake ku udhëtonin presidenti i vendit dhe 95 zyrtarë të tjerë të lartë u rrëzua nga mjegulla pranë Katinit. Presidenti Medvedev mori pjesë në ceremoninë e varrimit në Varshavë, u krijoi mundësi polakëve të hetojnë rreth shkaqeve të rrëzimit të aeroplanit dhe hodhi në votë në parlamentin rus fajësimin zyrtar të Stalinit për Katinin.

Në dhjetor Presidenti Medvedev bëri një gjest miqësor ndaj polakëve gjatë vizitës së tij zyrtare në Varshavë, e para nga një rus në gati një dekadë.
Ai dekoroi regjizorin anti-sovjetik polak Andrzej Wajda me Medaljen e Miqësisë së Popullit Rus. Filmi i reagjizorit Wajda, i vitit 2007 “Katin” flet për masakrën e Luftës së Dytë Botërore që i mori jetën babait të tij, një oficeri polak.

Pas ulje ngritjeve të 2010-ës, Presidenti Medvedev dhe kryeministri Putin vazhdojnë të sillen mirë me perëndimin. Pavel Felgenhauer, analist ushtarak, thotë se do të marrë vite për të tejkaluar mosbesimin e dyanshëm.

"Rifillimi i marrëdhënieve me Poloninë po shkon mirë nga ana e marrëdhënieve me publikun. Por në thelb, marrëdhëniet janë ende pak të acaruara."
Por me rritjen e shpejtë të Kinës në lindje, Rusia është e vendosur t’i përmirësojë marrëdhëniet e saj me perëndimin.

XS
SM
MD
LG