Lidhje

Politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan


Politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan

Politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan

Bosnje-Hercegovina ka bërë përparim të madh që nga tmerret e luftës së viteve 90. "Por në katër ose pesë vitet e fundit," tha ndihmës sekretari i shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Philip Gordon, "ajo nuk ka ecur në drejtimin e duhur."

Ka pasur një rritje të rrezikshme në retorikën nacionaliste. Institucionet e shtetit dhe marrëveshjet e Dejtonit janë sfiduar hapur. Ka pasur përpjekje për të kthyer prapa reformat të cilat janë të nevojshme për Bosnje-Hercegovinën që ajo të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

"Në përgjithësi," tha ndihmës sekretari Gordon, "politikanët boshnjakë kanë qenë tepër të zellshëm për të nxitur frikën etnike dhe për të vënë interesat e tyre personale politike mbi nevojat e njerëzve që ata duhet të përfaqësojnë." Nëse kjo nuk ndalet, Bosnja rrezikon të mbetet pas, ndërkohë që pjesa tjetër e rajonit ecën përpara.

Për t’u kthyer në rrugën e duhur, Bosnja duhet të jetë në gjendje të funksionojë si një shtet që mund të japë rezultate për të gjithë qytetarët e saj. Hapi i parë është të formohet një qeveri në nivel shtetëror. Kanë kaluar tetë muaj që nga zgjedhjet, dhe nëse nuk formohet së shpejti një qeveri, vendi do të ketë pasoja të rënda ekonomike. Për më tepër, çdo ditë që kalon pa një qeveri, bën që Bosnje-Hercegovina të mbetet akoma më prapa fqinjëve të saj dhe rrit rrezikun që vendi të shkëputet nga rruga evropiane.

Së dyti, politikanët e Bosnje-Hercegovinës duhet të demonstrojnë zotimin e tyre ndaj Kornizës së Dejtonit dhe gatishmërinë për të respektuar vendimet e institucioneve shtetërore. Korniza e Dejtonit afirmon një shtet, dy entitete dhe tre popuj përbërës. Në veçanti, Republika Serbe e Bosnjes duhet të ndërpresë retorikën e saj separatiste dhe të mos minojë institucionet shtetërore.

Së fundi, Bosnje-Hercegovina duhet të ecë përpara me reformat qeveritare të nevojshme për integrimin në NATO dhe në BE. Ato përfshijnë, ndër të tjera, ndryshimin e kushtetutës në mënyrë që të përmbushen standardet e BE-së për të drejtat e njeriut dhe kryerjen e regjistrimit të popullsisë.

Të gjitha këto hapa së bashku përbëjnë një rrugë drejt integrimit evropian. Nëse politikanët e Bosnje-Hercegovinës bëjnë zgjedhjet dhe kompromiset e nevojshme, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme për të ndihmuar me burime dhe mbështetje politike. Siç u shpreh Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton: "lidhjet ndërmjet Bosnje-Hercegovinës dhe Shteteve të Bashkuara janë kalitur nëpër prova të vështira dhe triumfe historike dhe sot ne mbetemi të angazhuar".

XS
SM
MD
LG