Lidhje

Kosovë: Politika “forcohet” me pjesëtarë të shoqërisë civile


Zyrtarisht, fushata për zgjedhjet parlamentare të tetë qershorit në Kosovë, fillon në fund të muajit maj. Por, ajo realisht është në vlug të saj. Karakteristikë e këtyre ditëve është nxitimi i partive politike për të prezantuar përforcimet e reja, posaçërisht me anëtarë të rinj nga shoqëria civile.


Bashkimin e pjesëtarëve të organizatave joqeveritare me partitë politike, analistët e vlerësojnë në mënyra të ndryshme.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se zhvillimet e tilla janë fushatë zgjedhore.

“Shumica e aderimeve në partitë politike nuk janë bërë për të ndryshuar qëllimet e këtyre partive politike por janë bërë për të ndryshuar formatin dhe metodat e bërjes së fushatës para elektorale. Nëse kjo është se si duhet të ndryshojë skena politike, unë mendoj që është një qasje e gabuar edhe prej disa individëve, jo të gjithëve, por edhe prej vet partive politike që e keqpërdorin të kaluarën por edhe disa njerëz të shoqërisë civile thjesht për të krijuar imazh të fitores në këtë fushatë para-elektorale”, thotë zoti Korenica.

Ndërsa, Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika, thotë se këto largime kanë ndodhur edhe më herët dhe sipas tij këto kanë dy qëllime.

“Partitë politike kërkojnë që të freskohen sepse politika dhe partitë politike kanë ushtruar politika shumë të vjetruara dhe në dy këta njerëz të shoqërisë civile nuk kanë mundur të gjejnë veten në kuadër të burokracisë institucionale, thënë shkurt, nuk kanë mundur të inkuadrohen pa qenë pjesë e partive politike. Kjo kulturë institucionale që është krijuar në këtë kohë ka ngushtuar hapësirën që kuadri I duhur të marrë pozitat e duhura në institucionet e vendit”, tha zoti Rashiti.
Por, a e kanë dëmtuar rolin e shoqërisë civile, këto largime?

Zoti Korenica thotë se shoqëria civile nuk është e individëve, por qëllimet e këtyre largimeve e kanë dëmtuar atë.

Mendoj që për shkak të një keqpërdorimi që po I bëhet kësaj dukurie, natyrisht se sektori I shoqërisë civile në përgjithësi po pëson dëm në kredibilitetin në opinionin publik. Unë dua të rikujtoj se shoqëria civile nuk duhet të ketë mision politik, shoqëria civile është një opozitë civile I të gjithë skenës politike dhe jo vetëm I pushtetit, prandaj kur ka aderime të formave të tilla ndonjëherë vihet në dyshim edhe vet kredibiliteti I njerëzve që janë kritikë të pushtetit aktual, por në përgjithësi edhe të skenës politike përfshirë edhe mua”, thotë zoti Korenica.

Ndërsa, zoti Rashiti thotë se askush nuk mund të dëmtojë shoqërinë civile.
“Jo, nuk duhet frikësuar që shoqëria civile do të mbetet pa aktivistë sepse do të ketë dhe do të vijnë gjenerata të reja dhe ka shumë të tillë që po presin në treg, ka shumë studentë që kanë kryer studimet jashtë vendit. Shoqërisë civile I mbetet që të organizohet më mirë dhe të bëjë punën e vet më mirë. Këta njerëz që janë futur në politikë pavarësisht bindjeve të tyre kanë shkuar me një qëllim që të japin kontributin e tyre dhe besoj që kjo është forma e vetme”, tha zoti Rashiti.

Zoti Rashiti thotë se të gjitha partitë politike në Kosovë kanë nevojë për një freskim dhe demokraci të re të brendshme.

“Përmes inkuadrimit të të rinjve është forma e vetme për të eliminuar të vjetrit, të papërdorshmit, dembelët, të korruptuarit dhe të gjitha strukturat jo-efektive të cilat reflektojnë edhe në funksionojnë në administrimin e shtetit dhe vet shtetit”, tha zoti Rashiti.

Zoti Korenica thotë se largimi i pjesëtarëve të shoqërisë civile në parti politike në një shtet normal nuk do të duhej të ndodhte pasi që sipas tij të dyja këto kanë misione të ndryshme.
XS
SM
MD
LG