Lidhje

Rindizen debatet politike për imunitetin


Koha për kompromise është e kufizuar tashmë dhe qëndrimet e palëve janë të largëta.

Forcat kryesore politike po u rikthehen temave që lanë hapur në parlament në seancën e fundit të 6 gushtit, në përpjekje për të tërhequr edhe një herë vëmendjen e opinionit publik mbi qëndrimet e tyre. Një ndër çëështjet kryesore sipas tyre ka mbetur pa një zgjidhje është heqja ose kufizimi i imuniteteve të zyrtarëve dhe gjyqtarëve.

Kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta, pjesëtar i koalicionit qeveritar u bëri thirrje dy pative më të mëdha që “të mos humbin më kohë me mospjatime mbi imunitetet, duke ngadalësuar integrimin në BE”. Zoti Meta deklaroi se “kjo çështje mund të zgjidhet me konsensus në parlament, pa qenë nevoja që të shkohet në referendum”.

Partia Socialiste deklaroi edhe një herë tjetër se nuk është kundër heqjes së imuniteteve të zyrtarëve, por se këmbëngul që në rastin e ndryshimeve kushtetuese të shqyrtohen disa çështje njëkohësisht. Kryetari i kësaj partie, Edi Rama, tha se “shumica parlamentare po përpiqet t’ja hedhë fajin opozitës për vonesën e marrjes së statusit”. Zoti Rama i bëri këtko komente dy ditë pasi kryeministri Sali Berisha kritikoi opozitën socialiste se po pengonte me çdo mënyrë për 10 vjet rresht heqjen e imunitetit të zyrtarëve.

Pavarësisht deklaratave, koha për kompromise është e kufizuar tashmë dhe qëndrimet e palëve janë të largëta. Parlamenti i hap dyert në shtator për sesionin e ri, dhe kështu kanë mbetur vetëm disa javë nga raporti i progresit që Komisioni Europian do të publikojë mbi ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE.
XS
SM
MD
LG