Lidhje

2012, Fushatë e ndezur dhe fitore për Pres. Obama


Revista Time e zgjodhi Presidentin Barack Obama si “Njeriun e Vitit” për 2012-ën, në fund të një viti të ngarkuar politik. Zoti Obama u rizgjodh në postin e Presidentit pas një fushate intensive kundër republikanit Mitt Romney. Por Presidentin e presin sfida të rëndësishme në mandatin e dytë, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone.

Natën e zgjedhjeve në Çikago, përkrahësit e zotit Obama festuan fitoren e tij.

“Unë kthehem në Shtëpinë e Bardhë më i vendosur dhe i frymëzuar se kurrë për punën që na duhet të bëjmë dhe të ardhmen që na pret”.

Por zoti Obama nuk pati shumë kohë që të gëzonte triumfin. Edhe një herë tjetër, Presidentit iu desh të merrte rolin e ngushëlluesit të kombit, pas tragjedisë në Njutaun të Kënektikatit.

“Nuk mund ta tolerojmë më një gjë të tillë. Këto tragjedi nuk duhet të ndodhin më dhe që ato të mos ndodhin, ne duhet të ndryshojmë”.

Zoti Obama po përpiqet gjithashtu të arrijë një kompromis për uljen e defiçitit me republikanët në Kongres për të shmangur të ashtuquajturën katastrofë fiskale, me gjysmë trilion dollarë rritje taksash dhe shkurtime buxheti deri në fund të vitit.

Rizgjedhja e Presidentit është një shans për një fillim të ri, thotë ish-shefi i personelit i Shtëpisë së Bardhë gjatë kohës së Presidentit Regan.

“Publiku po i jep Presidentit Obama një shans të dytë, ndoshta për të çuar në vend premtimin e vitit 2008, që në thelb kishte të bënte me ndryshimin e mënyrës së bashkëpunimit, ose mungesës së tij në Uashington”.

Thomas Mann i Institutit Brookings thotë se është një shans edhe për Republikanët që të shënojnë një fillim të ri.

“Nuk është e mjaftueshme që republikanët që vetëm të kundërshtojnë Presidentin Obama gjatë gjithë mandatit të dytë. Nëse ata konsiderohen si pengesë për zgjidhjen e problemeve tona, është njëlloj sikur të nënshkruajnë vdekjen e tyre politike”.

Por vendimet e vështira për taksat dhe shpenzimet mund edhe ta bëjnë Presidentin që të kërkojë lëshime nga partia e tij.

“Një tregues i rëndësishëm i aftësisë udhëheqëse është t’i thuaj ‘jo’ aleatëve më të ngushtë dhe ‘po’ kundërshtarëve më të fuqishëm. Duhet të bashkosh njerëzit”.

Presidenti Obama do të bëjë betimin për mandatin e dytë më 20 janar, ndërsa ceremonia e inaugurimit do të bëhet një ditë më pas.
XS
SM
MD
LG