Lidhje

Skandali i korrupsionit në Turqi


Qeveria e Turqisë është prekur nga një skandal korrupsioni që duket të jetë pjesë e një rivaliteti politik. Polemika ka nxjerrë në pah rivalitetin gjithnjë e më të ashpër në mes të kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan dhe një ish-aleati të tij politik, klerikut islamik Fethullah Gylen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara.

Skandali ka nxjerrë në rrugët e Stambollit protestuesit, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. Shumë turq po shprehin gjithnjë e më tepër zemërim vitet e fundit për ato që ata i shohin si lëvizje të tepruara drejt islamizimit. Skandali i korrupsionit i ka gjallëruar më tej protestat, të cilat filluan gjatë verës.

Këtë herë, ato morën shkas nga akuzat që çuan në dhjetëra arrestime, duke përfshirë djemtë e dy ministrave të kabinetit të dyshuar se janë të përfshirë në rryshfete për marrëveshje pasurish të patundshme ku janë në lojë sasi të mëdha parash dhe ari.

Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan i zëvendësoi dy ministrat këtë javë, së bashku me tetë të tjerë, por kjo nuk i ka ndalur thirrjet për dorëheqjen e tij. Në të vërtetë, njëri nga ministrat tha se edhe kryeministri duhet të japë dorëheqjen.

Qeveria e shtoi më tej zemërimin duke shkarkuar qindra zyrtarë të lartë të policisë të përfshirë në hetimin kundër korrupsionit, mes tyre edhe shefin e policisë së Stambollit.

Kryeministri Erdogan, i cili e mban këtë post prej 12 vjetësh, e ka quajtur operacionin policor "jashtëzakonisht të ndyrë." Ai ka thënë se oficerët e policisë kanë shpërdoruar kompetencat dhe se qeveria kishte të drejtën e saj për t'i shkarkuar.

Polemika ka nxjerrë në pah rivalitetin gjithnjë e më të ashpër në mes të kryeministrit dhe një ish-aleati të tij politik, kleriku islamik Fethullah Gylen, i cili jeton në një kompleks privat në Shtetet e Bashkuara. Thuhet se ai ka ndikim të madh mbi forcat e policisë turke dhe mbi shërbimin e prokurorisë.

Të enjten, një prokuror u hoq nga kjo çështje, pas ankesave të tij se zyrtarët e policisë refuzojnë të zbatojnë urdhrat e gjykatës në lidhje me hetimin e tij. Në zyrat e gazetës Xhumhuriyet të Ankarasë, Utku Çakirozer thotë se rënia e besimit te qeveria dhe gjyqësori e dëmtojnë imazhin e vendit, brenda dhe jashtë.

"Si kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Turqia u zotua të përmbushte standardet e BE-së në të gjitha fushat. Ndër më të rëndësishmet këtu është sundimi i ligjit dhe ruajtja e lirisë dhe paanshmërisë së sistemit të drejtësisë."

Çështja e anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian vazhdon të mbetet në plan të dytë dhe skandali i tanishëm pritet të ndihmojë që ajo të mos përparojë më tej. Kryeministrit Erdogan do t'i duhet të përpiqet shumë për të rivendosur besueshmërinë e tij të dëmtuar, sidomos në qoftë se, siç kanë parashikuar disa analistë, ai vetë përfshihet në skandalin e tanishëm.
XS
SM
MD
LG