Lidhje

Politikanët përpiqen të shfrytëzojnë mediat sociale

  • Laurel Bowman

Politikanët përpiqen të shfrytëzojnë mediat sociale

Politikanët përpiqen të shfrytëzojnë mediat sociale

Mediat sociale po bëhen nxitës të ndryshimeve të mëdha kudo në botë, po ndryshojnë gjithashtu mënyrën se si bëhet politika në Shtetet e Bashkuara. Por analistët thonë se konsumatorët e lajmeve duhet t’i marrin ato nga burime të shumëllojshme. Presidenti amerikan Barak Obama përdori dje njërën nga mediat sociale, Twitter, për të dhënë një konferencë shtypi të një stili të veçantë nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Obama po përpiqet të shfrytëzojë mediat sociale për t’ju drejtuar një audience sa më të gjerë.

"Tani do të bëj histori, si presidenti i parë që jap konferencë në Twitter. Pra, ne kemi këtu një kompjuter...”

Presidenti Obama filloi kështu konferencën e parë me Twitter. Ngjarja e djeshme pason konferenca të ngjashme që ai ka bërë këtë vit me Facebook dhe YouTube. Zoti Obama ia bërë pyetjen e parë me Twitter vetes, duke iu përmbajtur kufirit prej 140 gërmash që duhet të ketë një mesazh në Twitter.

Por, përgjigjet e tij, të cilat ai i dha me gojë, pa i shkruar në Twitter ishin shumë më të gjata.

"Më lejoni të përshkruaj sa më shkurt rreziqet që lidhen me tavanin e borxhit. Historikisht Shtetet e Bashkuara sa herë që kanë një deficit, e mbulojnë atë përmes shitjes së letrave me vlerë dhe Kongresi voton për sasinë e këtyre letrave me vlerë që mund të emetojë Thesari. Mirëpo tani Kongresi na thotë se mund të mos votojë për rritjen e tavanit të borxhit. Nëse nuk e bën këtë, atëhere Thesari do të mbetet pa para dhe nuk do të paguajë dot faturat. Kjo mund t’i bëjë tregjet botërore të kapitaleve të humbasin plotësisht besimin te krediti i Shteteve të Bashkuara."

Ja ç’thotë analisti politik Ken Goldstein:

KEN Goldstein, grupi i analizave të fushatave mediatike:

"Nëse mendoni se politika është më e komplikuar se 140 gërma, atëhere konferencat me Twitter do të jenë problematike."

Goldstein thotë se kufiri që venë mediat e reja krijon një tension të qartë për presidentin.

KEN Goldstein, grupi i analizave të fushatave mediatike:

"Zoti Obama është njeriu që ka përqafuar me forcë mediat e reja. Ai është njeriu të cilit i pëlqen të ngrihet mbi politikën tipike në Uashington që bëhet me fraza bombastike dhe Twitteri është mishërim i të dyjave, është mishërimi i mediave të reja. Nga ana tjetër ai është mishërim i të shprehurit me fraza të shkurtra, pra mund të flasësh vetëm me pak rreshta, maksimumi 140 gërma për fjali. "

Disa media sociale si Facebook, YouTube dhe Twitter kanë nxitur revolucione në të gjithë globin. Ata kanë lidhur me njëri-tjetrin njerëz në Iran, Kinë si dhe në vendet e Lindjes së Mesme, çka ka çuar në rebelime shoqërore dhe politike të njohur si Pranvera arabe.

Por analistët thonë se njerëzit e interesuar për çështjet aktuale duhet të ndjekin një shumëllojshmëri mediash, duke përfshirë edhe ato më tradicionale.

"Unë besoj se media tradicionale ende është e rëndësishme. Pjesa më e madhe e informacionit që qarkullon në internet, e ka burimin tek mediat tradicionale. "

Ka vite që politikanët po përpiqen t’i kapërcejnë kufijtë e mediave tradicionale dhe mediat shoqërore mund t’i ndihmojnë ata në këtë aspekt. Sot ata nuk janë të detyruar të flasin domosdo me gazetarët. Dhe, kur një politikan flet me Twitter, është e vështirë që dikush t’ja ndërpresë fjalën, siç mund të ndodhë në një sallë konferencash.

XS
SM
MD
LG